Gjermania dhe Brazili i kanë kërkuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të miratojë draft rezolutën, që bën thirrje për respektimin e të drejtave për privatësi në “moshën dixhitale”.
Draft rezoluta bën thirrje për t’i dhënë fund survejimeve të tepruara elektronike, duke theksuar se mbledhja ilegale e të dhënave personale “konstituon një veprim tepër të bezdisshëm”.
Brazili dhe Gjermania janë irrituar së fundi pas deklaratave mbi një survejim të shkallës së gjerë nga SHBA-të. Akuzat rrjedhin nga zbulimi i bërë nga informatori amerikan Edward Snowden.
Draft rezoluta, e cila nuk përmend vende individuale, do të debatohet në një komitet të Asamblesë së Përgjithshme, i cili në fokus ka të drejtat e njeriut.
Ai i bën thirrje Asamblesë prej 193 anëtarësh të deklarojë se “është tepër e shqetësuar për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe abuzimet që mund të rezultojnë si pasojë e kryerjes së përgjimit të komunikimeve”.
Këtu përfshihe “survejimet e komunikimeve përtej territorit, përgjimet e tyre, ashtu si dhe mbledhja e të dhënave personale, veçanërisht survejimet masive, përgjimet dhe mbledhja e të dhënave”.
Rezoluta, e cila do të votohet më vonë gjatë këtij muaji, i bën thirrje të gjitha vendeve të mbrojnë të drejtën për privatësi, të garantuar nga ligjet ndërkombëtare.
Edhe pse rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë detyruese, ato kanë një peshë domethënëse morale dhe politike, nëse fitojnë mbështetje të mjaftueshme.
Drafti vjen pas akuzave se SHBA-të kanë përgjuar liderët ndërkombëtarë, përfshi presidenten e Brazilit, Dilma Rousseff, dhe Kancelaren gjermane, Angela Merkel, duke irrituar aleatët e Amerikës në Europë dhe Azi.
Top Channel