
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig paraqiti në selinë qëndrore të kësaj organizate, në Vienë, raportin vjetor ku përfshihen zhvillimet e vitit të fundit në Shqipëri. Që në fillim të raportit evidentohen sfidat me të cilat përballet qeveria e kryeministrit Edi Rama.
“Është pozitive që shumica e re ka shfaqur interesin e saj të fortë për të ecur përpara me reformat shumë të nevojshme dhe është zotuar të punojë bashkë me opozitën në këtë drejtim. Shpresohet që opozita do të përgjigjet në një mënyrë të favorshme për arritjen e përparimit në axhendën e reformave të vendit”, thuhet në raport.
Pjesë e raportit është edhe procesi i integrimit në BE. “Tani që Komisioni Evropian ka rekomanduar dhënien e statusit kandidat Shqipërisë për në BE dhe në pritje të vendimit të Këshillit Evropian, klasa politike dhe qytetarët e Shqipërisë kanë rastin që ta përdorin këtë inerci pozitive për të kërkuar transformim në atdheun e tyre, në mënyrë që të mbyllet kapitulli i tranzicionit”, nënvizon dokumenti.
Një vend i veçantë në raport i kushtohet problematikës së pronës ku thuhet: “Mungesa e një kuadri të qëndrueshëm politikash ka sjellë një pasiguri ligjore sa u përket të drejtave të pronarëve, shtimit të ndërtimeve të paligjshme dhe zhvillimit të parregulluar të tregut të pronave të paluajtshme, me pasoja në rikthimin e pronës tek pronarët”.
Raporti i ambasadorit të OSBE-së shpreh shqetësimin për punën e organave ligjzbatuese në luftën kundër korrupsionit. “Qeveria e re e ka shpallur luftën kundër korrupsionit një përparësi kryesore dhe ka çuar për hetim dhe ndjekje penale disa zyrtarë për akuza korrupsioni. Qeveria gjithashtu ka thënë se do të hartojë një strategji të re kundër korrupsionit dhe plan veprimi përkatës. Organet shtetërore që merren me korrupsionin nuk janë ende plotësisht të mbrojtura nga presioni politik dhe vuajnë nga kufizimi i burimeve njerëzore dhe financiare”, theksohet në raport.
Në këndvështrimin e OSBE-së, Shqipëria po përballet me probleme që lidhen për kalimin nga transmetimet analoge në ato dixhitale. “Qeveria e re ka sinjalizuar përkushtimin e saj për të siguruar pavarësinë e rregulluesit të transmetimeve audiovizive dhe për të ristrukturuar transmetuesin publik, për të siguruar një menaxhim profesional dhe politikisht asnjanës. Procesi i dixhitalizimit vijoi të vonohet, megjithatë, duke vështirësuar mundësinë e Shqipërisë për të përfunduar kalimin në transmetimet numerike brenda afatit të qershorit 2015”, thotë raporti.
Sfidat që mbeten për konsolidimin e demokracisë dhe integrimin e mëtejshëm ndërkombëtar janë të brendshme, në mendësi dhe në funksionim – thuhet në konkluzinet e raportit.
Top Channel