Në një seri të përqendruar tek vendosja nën akuzë për korrupsio e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjikës, “Top-Story” i dedikoi pjesën e parë të emisionit ngjarjes më të fundit të politikës shqiptare, largimit të deputetit Gjovalin Kadeli nga radhët e Partisë Demokratike, për tek Lëvizja Socialiste për Integrim.
Njeriu që përpara zgjedhjeve braktisi Partinë Socialiste për të kaluar në kampin e djathtë, u shndërrua papritur në lajmin e momentit me këtë zgjedhje të re kontradiktore dhe në një lidhje direkt, vetë zoti Kadeli u ndal gjerësisht në arsyet që motivuan këtë kalim.
Sokol Balla, “Top-Story” – Zoti Kadeli, mirësevini në studio. E nisim me pyetjen kryesore. Përse u ktheve majtas?
Gjovanin Kadeli, deputet LSI – Përgjigja është e thjeshtë dhe e shkurtër. Të kthehesh në shtëpi s’është kurrë vonë, kështu që ky kthim quhet i natyrshëm për mua dhe mbështetësit e mi. Është një kthim i paralajmëruar, që e ka bazën në gjenezën time me votuesin tim në Qarkun Lezhë, në ata miq e kolegë që kam 20 vjet që ndaj të njëjtën marrëdhënie duke i shërbyer të majtës shqiptare, ndaj vendi im mendoj është majtas dhe këtu jam tamam atje ku duhet tek LSI.
Sokol Balla – Kut thoni “tamam ku duhet”, ju keni qenë një nga deputetët e njohur të PS deri në fund të 2013-s, pavarësisht faktit se u latë jashtë listës së deputetëve. A është ky rikthim planprishës, a ndieni që i detyroheni një farë ndjese burrnore elektoratit?
Gjovalin Kadeli – Është e vështirë t’iu shpëtojë juve si gazetar, por kur them “tamam”, kushdo që merret me politikë krijon marrëdhënie me mbështetësit, duke mos harruar marrëdhënien me lidershipin. Marrëdhëniet e mia me Ramën ishin institucionale normale, por jo marrëdhënie shoqërore për të pasur një vend të garantuar në legjislacionin e ardhshëm 2013-17. i kam besuar më shumë marrëdhënies me votuesin tim gjithmonë.
Sokol Balla – A ka një motiv, a ka një arsye tjetër veç kësaj, që shpjegon largimin tuaj nga PD. A mori përsipër një rrezik Berisha duke iu kandiduar juve?
Gjovalin Kadeli – Zoti Berisha, në radhë të parë, u ndie besoj komod në kohën kur ne si deputet të PS votuam qeverisjen e Berishës, kur nuk kishim asnjë marrëveshje me Berishën, por u ndiemë të përjashtuar nga Rama dhe duke iu referuar shprehjes për “inat të sime vjehrre shkoj fle me mullixhiun”, me ndërgjegje të plotë vendosëm që të udhëhiqte vendin deri në shtator. Duke votuar qeverinë Berisha, kryeministri i asaj kohe na bëri ftesë publike për të qenë pjesë e listës së deputetëve që e pranuam me kënaqësi si vlerësim, duke qenë se ne u renditëm në listat e PD. Unë mendoj se për vete u solla si të isha i fundit i listës, pasi kur njeriu hyn në një lumë ka edhe ego personale për ta kaluar lumin. Në fushatën e kaluar së bashku me kolegët e PD, të cilët i përgëzoj për shumë arsye, punuam që PD të ishte në pushtet. Kjo nuk ndodhi, nga pas zgjedhjeve, deri më sot jam ndierë në shtëpinë e huaj në atë subjekt, marrëdhënia, afrimiteti, mënyra se si kolegët më identifikojnë si të majtë dhe se si mbështetësit e mi më shikojnë motivoi këtë ndryshim. Qarku i Lezhës e ruajti numrin e mandatit siç nuk ndodhi në asnjë vend, ku u humb 1-2 mandate, kjo falë mbështetësve të mi që treguan se marrëdhënia ime nuk u ndërpre. Kjo përforcoi bindjen se isha në vendin e huaj dhe të gabuar, për këtë arsye u takova me mbështetësit, sinjalet forcoheshin çdo ditë dhe filluam të gjenim një rrugë drejt të majtës që ka njohur tradicionalisht e majta shqiptare, e majta reale dhe kështu vendosa t’i drejtohem LSI për të qenë pjesë në vazhdimin e mandatit si deputet. Largimi im është në një kohë mbase të papërshtatshme, por nuk prish ekuilibrat në Parlament, pasi s’jam as i 84-ti dhe as i 95-ti, jam një deputet që e ndieja veten jashtë shtëpisë.
Sokol Balla – A do të merrnit të njëjtin vendim nëse shifrat do të ishin më të ngushta?
Gjovalin Kadeli – Këtë nuk mund ta them tamam si mund të ndodhte, por unë di që si kam prishur punë PD dhe as i kam rritur avantazhet PS. Jam kthyer i qetë në familjen time dhe s’më vjen mirë që jam bërë objekt bisede në këto dy dite.
Sokol Balla – Gjithsesi një lajm i rëndësishëm është…
Gjovalin Kadeli – Ky është një lajm i natyrshëm e të gjithë mund ta prisnin që një ditë mund të ndodhte. Vendimi im për të kandiduar me PD mbase ka qenë emocional, por ka qenë i imponuar nga mbështetësit e mi në Lezhë që kërkonin që unë të vazhdoja të isha në Kuvend.
Sokol Balla – Zoti Kadeli, ishte afrimi i dypalshëm apo dikush kërkoi të afrohej? Ishte e natyrshme që ju të riktheheshit? Kush e hodhi hapin e parë?
Gjovalin Kadeli – Hapin e parë e hodha unë, siç e hodha duke iu drejtuar Berishës, ashtu e bëra edhe tani. Me koshiencë them se Meta është njeri që njeh vlerat dhe kontributet e të shkuarës të seclit prej nesh, marrëdhënia me të ka qenë e hershme, ndërsa unë iu drejtova edhe para zgjedhjeve para se të pranoja ftesën e Berishës për të qenë pjesë e listës së tij, por një gjë e tillë u vonua në atë moment pasi Meta kishte angazhime për të gjithë Shqipërinë dhe kishte njerëz që kishte vite që punonin. Ndaj, e mirëkuprtova vonesën e tij e ngela të jem pjesë e PD, por tani isha i bindur që Meta nuk do të refuzonte.
Arjan Vasjari, i ftuar në “Top-Story” – Mirëmbrëma, në gjithçka dëgjuam deri tani bie dakord vetëm se përse media u mor më shumë me ju. Lajm ishte kur kaluat tek PD dhe jo tani që ikët. Ju thatë ky rikthim është një lloj ndjese ndaj elektoratit të majtë apo jo? Ju në këtë moment duhet t’i kërkoni ndjesë të djathtës dhe pyetja ime e drejtëpërdrejtë, rikthimi juaj tek LSI a ka brenda diçka, sepse normalisht ju s’jeni kthyer në shtëpi, por në një shtëpi pranë saj?
Gjovalin Kadeli – Zoti Vasjari, në momentin që më bëtë pyetjen po më dukeni si ndër drejtuesit e PD. Ju them me përgjegjësi se i jam drejtuar Berishës si lider dhe marrëdhënia ime ishte me të, që e kam votuar në Kuvend qeverisjen e tij për t’i dhënë zgjedhje të lira e të ndershme këtij vendi, gjë që ndodhi e ky vend kaloi testin e zgjedhjeve. Mos ngatërrohemi, unë po ju sqaroj se ne bëmë që Berisha të qeveriste dhe vendi mos të kalonte në qeveri teknike, me zgjedhje që nuk i dihej si ndodhnin. E dyta, nuk u bë rikonfigurimi i KQZ, votuam normalisht shkarkimin e anëtarit të KQZ, e si rezultat i këtij veprimi në mbështetje ne morëm mandatet për të qenë pjesë e deputetëve të tij. Ndjesa elektoratit të djathtë? Në Lezhë e Kukës janë marrë përkatësisht 4 dhe 3 mandate, rezultat i pandryshuar nga 2013, i pandryshuar numerikisht ndërsa PS mori një mandat më pak. Kjo tregon se mbështetësit e mi, pavarësisht lëvizjes, si njerëz që kam lidhur bashkëjetesën time politike në 20 vjet, më votuan mua dhe jo partinë. Nëse s’do të isha pjesë e PD, PD do kishte 3 deputetë. Nuk mendoj se ka vend për ndjesë, por i respektoj shumë…
Arjan Vasjari – Kur ishit kaq i sigurt për fitoren tuaj, përse nuk mbetët i pavarur atëherë?
Gjovalin Kadeli – (vazhdon përgjigjen e mëparshme pa e ndërprërë) Kjo tregoi se ne morëm 4 mandate falë bashkëpunimit ndër vite. Kur Lezha mori përsëri katër mandate, nëse unë s’do të isha pjesë e kësaj liste do të kishte ndryshim. Ata votues të PD që bashkëpunova i respektoj maksimalisht, si njerëz të ndershëm e të devotshëm, ashtu si kolegët e PD.
Aleksandër Çipa, i ftuar në “Top-Story” – Kthimi majtas ndodh në një familje me dy shtëpi të ndryshme. Njëra është shtëpi e kthesave 180 gradë, të tilla si e zotit Kadeli. Është ky rikthim një mundësi për të parë ndryshe marrëdhënien me PS, meqë kthehesh në koalicion pas ikjes së përpara zgjedhjeve?
Gjovalin Kadeli – Gjykimi juaj në këtë pikë mbase ka një argument pasi lëvizjet ndonjëherë të lënë shumë pikëpyetje. Jam në LSI si parti e majtë, por pa përjashtuar mundësinë e mbështetjes së PS. Marrëdhëniet e mia ishin disi të acaruara prej kryeministrit, që çoi në largimin tim të padëshiruar, por rikthimi i dytë ka ardhur natyrshëm. Kjo s’do të thotë që kam diçka personale me kolegët e mi socialistë, kjo nuk përjashton mundësi komunikimi e marrëdhënie miqësore. Lidhur me derën hapur ju garantoj me përgjegjësi se ishte një derë që u hap për shkak të një lideri me karakterin e tij në marrëdhënien e marrëveshjeve (i referohet Berishës), që në atë kohë na afroi duke na dhënë mandatet, pavarësisht se Dogjani nuk e mori.
Sokol Balla – Iu kundërpërgjigjët ashpër Palokës në shtyp…
Gjovalin Kadeli – I dhashë një përgjigje të acaruar pak nga media, por i thashë të jetë i kujdeshëm në deklarata, pasi fushata e tanishme ku Paloka ishte deputet, nxorri problematikën e atyre drejtorëve që merrnin 2-3 mijë euro për një punësim, por s’thashë që këto para i merrte Paloka. Këto janë emra që i ndeshëm në bazën PD në fushatën e shkuar.
Arjan Vasjari – Kur kjo parti ku Paloka bën pjesë qënka kaq e korruptuar, përse kaluat atje?
Gjovalin Kadeli – Ju s’keni qenë në fushatë….
Arjan Vasjari – Fat i madh që s’kam qenë…
Gjovalin Kadeli – Pyesni Bumçin dhe kolegët. Nuk është i drejtë keqinterpetimi i qëllimshëm, ju drejtova qartë pasi keni mundësi të flisni më gjatë në studio… problemin me zotin Paloka e kemi ndeshur në takimet me militantët e PD e kemi marrë vesh hapur se Paloka ka emëruar drejtorë që merrnin 2-3 mijë euro nga punonjës për ta futur në punë. Në Lezhë, këtë fenomen nuk e shpikëm, por e gjetëm nga demokratët e lezhës.
Sokol Balla – Rama ju ka sulmuar edhe personalisht, por besoj se pranimi i afrimit tuaj me LSI ka edhe një ok, qoftë edhe në heshtje nga Rama…
Gjovalin Kadeli – Ju patjetër që e ndoqën ditën që Rama prezantoi programin, unë qëndrova në sallë për dy arsye: E para u prezantua një program ku edhe unë kisha një pjesë time prej vitesh. Në respekt të qëndrimit tim të mëparshëm qëndrova në sallë. E dyta nuk kam asgjë personale me Ramën sot, kam patur një keqkuptim që unë jam ndierë i përjashtuar, jam ndierë për një përjashtim të padrejtë në gjykimin tim në atë kohë, ndërsa sot s’kam gjë me ramën, është lideri i së majtës dhe kryeministër i Shqipërisë, gjë për të cilën luftova 8 vjet dhe qëndrova 20 ditë në grevë urie, kështu që sot s’kam asgjë me këtë çështje, e rëndësishme është që qeverisja t’i shërbejë qytetarëve shqiptarë.
Top Channel