Që prej ditës së dielë, shpërthimi i eksplozivit afër Skelës që shkatërroi një nga ndërtimet e shumta që po prish Inspektoriati i Ndërtimit dhe “task-force” e ngritur nga qeveria, ka tronditur Vlorën dhe më gjerë, pasi së bashku me shpërthimin, në të njëjtën ditë, një nga kryebashkiakët më të njohur të vendit, Shpëtim Gjika, tashmë është marrë i pandehur nga Prokuroria për një çështje korrupsioni të rëndë, siç është falsifikimi i lejes së ndërtimit të dy pallateve në qytet.
Kjo ngjarje ka tronditur opinionin publik edhe sepse jemi mësuar që të parët që shkojnë nën akuzë janë ata që lënë pushtetin, ndërsa këtë herë është vendosur në bankën e të akuzuarve një prej kryebashkiakëve më të suksesshëm të majtë, aktualisht duke shërbyer mandatin e tij të tretë.
“Bomba” që shpërtheu me hetimin kundër Gjikës, ka bërë që këto ditë të flitet pothuajse eksluzivisht vetëm për akuzën.
Në “Top Story”, emisionin e përjavshëm politik të Sokol Ballës, nëpërmjet analistëve dhe avokatit mbrojtës të zotit Gjika, Ardian Leka u trajtuan të gjitha versionet, nga ai i akuzës, nga ata që janë vendosur nën akuzë, tek qytetarët pronarë të truallit ku kanë nisur hetimet dhe firma ku po ndërtohen këto pallate që sipas Prokurorisë nuk kanë leje ndërtimi e dokumenat janë falsifikuar.
Për të gjitha këto, të ftuar ishin zoti Leka, avokati mbrojtës i kryebashkiakut Gjika, autori i librit të dalë rishtaz në treg, “Unë jam Geg”, nga Mustafa Nano, editorialisti i gazetës “MAPO”, Arjan Vasjari dhe analisti Aleksandër Çipa.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika akuzohet se ka falsifikuar, në bashkëpunim me Specialisten e Planifikimit të Territorit në Bashkinë e Vlorës, Eleni Dardhaj, procesverbalet e dy mbledhjeve të KRRT-se në mars dhe korrik të 2010-ës duke favorizuar dy ndërtime në Vlorë. Sipas Prokurorisë së Përgjithshme në rastin e parë janë prodhuar të dhëna të rreme për një pallat 13-katësh në një zonë ku nuk lejohet. Ndërsa në rastin e dytë sipas Prokurorisë është dhënë një leje ndërtimi brenda territorit të Portit Detar, gjë që ka rënë ndesh me ligjin.
Për të ditur mendimet e qytetarëve vlonjatë mbi akuzat e ngritura kundër kryetarit të tyre të Bashkisë, Top Story u lidh drejtpërdrejtë më gazetaren Alma Demiraj e cila përcoli opinionet e disa qytetarëve vlonjatë.
Gazetarja e Top Channel tha se në bashkëbisedimet e saj me qytetarët këta të fundit kanë ndarë mendimet pro dhe kundër Gjikës. Pala mbrojtëse e Gjikës i konsideron akuzat të lidhura politikisht për të arritur disa synime të caktuara, ndërsa ata që janë kundër thonë se Gjika ka abuzuar me detyrën dhe me investimet e tjera në infrastrukturë.
Megjithatë, ndryshe nga grupi i parë që shfaqet publikisht për të mbrojtur Gjikën, grupi i dytë i qytetarëve vlonjatë nuk pranon të dalë para kamerave për të dëshmuar kritikat e tyre ndaj Gjikës.
“Kryetari i Bashkië së Vlorës është njeriu më i përkushtuar në Vlorë. Prokuroria le të hetojë, por nuk mund të sulmohet Gjika me këto gjeste që mendohet. Sot sulmohet kryetari i Bashkisë për të arritur qëllimet e tyre”, thotë një qytetar vlonjat.
Pyetjes nëse shohin një lidhje mes shembjes së pallatit në Skelë dhe akuzave të ngritura ndaj Gjikës, ata thonë se ka. Madje sipas njërit prej tyre, Gjika po luftohet nga brenda PS sepse ka qenë në krye të luftës së të majtës në 8 vite e pushteti të djathtë.
Ndërkohë në studiu, analisti Arjan Vasjari tha: Jam i prirur të besoj opinionit të atyre qytetarëve aty dhe ata kanë një lloj afeksioni politik dhe personal, por nuk kanë njohuri për rastin konkret. Besoj që do t’u krijojmë qartësi atyre për cfarë ka ndodhur. Ato dy pallatet janë dy pallatet me impaktin ambiental më të ulët që mund të njohim.
Ndërkohë avokati i zotit Gjika, Ardian Leka zbardhi disa detaje nga dosja e prokurorisë dhe përse, sipas tij, kjo dosje është me mangësi dhe e nxitur politikisht.
“Në njërin nga rastet nuk ka kallëzues, nuk ka asnjë kallëzim por thejsht një punonjës policie pretendon se janë bërë disa shkelje. Ky problem edhe nga prokuroria është trajtuar në formën “ma tha njëri”. Prokuroria ka shkelur ligjin duke bërë publike dosjen. Kur jam njohur me dosjen kam firmosur që të mos e publikoj atë, ndërsa sot që flasim, dosja është publike, e bërë nga Prokuroria e Përgjithshme në një ditë të dielë, ditë pushimi. Që Shpëtim Gjikës nuk i bëhet një gjyq i drejtë dhe i paanshëm, kjo tashmë dihet. Unë po flas që rastin e ka ngacmuar politika. Shpëtim Gjika ka vendosur gjobë për aq sa e ka forcën ligjore për dy ndërtimet. 1 mln lekë gjobë duke e konsideruar si ndërtim pa leje, sepse nuk ishte plotësuar formulari dy për sheshin dhe formulari katër për ndërtesën. Gjika u ka vënë gjobë atje dhe ka urdhëruar pezullimin e punimeve. Gjika ka bërë maksimumin që të ndalte këto ndërtesa. Gjika nuk ka dhënë leje për pallatin që u shemb.
Gjika i ka kërkuar me këmbëngulje Prokurorisë që të bëjë verifikimet për gjithcka ai ka thënë për dosjet e dy pallateve të ndërtuara. Prokurorët pesë ditë më pas kanë marrë një vendim për t’i rrëzuar gjithë kërkesat e Shpëtim Gjikës. Pse kanë frikë të hetojnë prokurorët? Pse kanë frikë të njihen me dokumentete e pronësisë? Pse kanë frikë të njihen me vendimin e qeverisë në vitin 2004 që ajo pjesë ku thuhet se është ndërtuar brenda portit, në fakt nuk është port?”, tha zoti Leka.
Avokati Leka vazhdoi: Më 17 tetor Gjika është thërritur dhe ka dhënë detaje të imtësishme për gjithcka, por edhe problemet që lidhen me vërtetësinë e pronësisë dhe vendndodhjen e ndërtimeve. Njëri nuk është port. Të gjithë amplifikojnë për lulishten, por shteti është i rregulluar mbi bazën e rregullave dhe në inventarin e Vlorës, është futur që në atë zonë janë 1200 m lulishte dhe pallati s’ka zënë asnjë centimetër të saj. Nuk është cënuar asnjë metër e zonës së gjelbër nga pallati. Bashkia i ka këto këto të dhëna.
Analisti Vasjari tha se ka disa kombinime që të krijojnë idenë që jemi në një sulm politik të koordinuar, por thelbi i asaj që pretendon prokuroria është që në dy mbledhjet e marsit dhe të korrikut 2010, anëtarët nuk kanë marrë këtë vendim.
Por përfaqësuesi ligjor i zotit Shpëtim Gjika, Leka mohoi të ketë falsifikim dokumentash: Nëse do të ishte e vërtetë kjo, nëse do të kishte falsifikim dokumentash, sot s’kanë rëndësi akuzat e tjera. Nëse do të ishte, sic thotë prokuroria, të gjitha firmat do të ishin në të njëjtën faqe, por praktikisht të gjitha firmat janë në faqen tjetër. Akt-ekspertiza thotë se këtë shkrim nuk e ka bërë Shpëtim Gjika. Akti i ekspertëve thotë se nëse një shkrim bëhet dy vjet mbrapa në të njëjtën fletë, boja ka ndryshime të dukshme. Eksperti thotë se është i njëjti shkrim, i të njëjti person, me të njëjtën bojë, boja është e njëjta. Pra ekspertët e përjashtojnë këtë mundësi. Një nga anëtarët klasikë kundërshtarë të Shpëtim Gjikës, kundërshtari i Gjikës thotë, unë nuk e mbaj mend të kemi diskutuar, unë kam bindjen se ky material nuk duhej shënuar fare në mbledhjen e KRRT dhe më pas shton- Unë jam larguar më 23/7/2010 për këtë arsye unë kam dyshimet e mia që të mos kem qenë fare në mbledhje, por nuk e di se cdo firma ime atje.
Top Channel