Task-Forca për ndërtimet pa leje

30/10/2013 00:00

Në një seancë dëgjimore me ministren e Zhvillimit Urban, Eglantina
Gjermeni mbi vendimin e Këshillit të Ministrave për ‘Unifikimin e
kompetencave të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar në zonat me
rëndësi kombëtare dhe territor’, deputetët e opozitës kërkuan shpjegime
lidhur me rolin e Task -Forcës së ngritur nga Qeveria për prishjen e
ndërtimeve pa leje.

Ministrja Gjermeni tha se ky vendim është në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjin për inspektimin e ndërtimit. Por sipas opozitës vendimi i Këshillit të Ministrave ështe antikushtetues sepse i jep Qeverisë kompetencat e gjykatës.

“Kjo veprimtari është e strukturuar dhe koordinuar përmes Task-Force dhe duke patur parasysh një hartë konkrete nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, nga ALUIZNI, nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, duke u koordinuar në lidhje me ndërtimet informale, vendndodhjen e tyre para se të bëhet realisht një ndërhyrje për prishje”, tha Gjermeni.

“Po i jepni vetes kompetencë gjykate dhe kjo është e rrezikshme. Nuk është e rrezikshme sepse jeni ju ministre, është e rrezikshme tendenca. Nëqoftëse ekzekutivi merr përsipër të bëjë edhe rolin e Gjykatës, ne kthehemi në vitin 1945. Ju thatë këtu një frazë që është e tmerrshme, se do të marrë vendim Task-Forca, nëse ndërtimi është i ligjshëm apo i paligjshëm. Cila është Task-Forca? Task-Forca nuk është gjykata speciale e vitit 1944, që vendos si t’i dojë qejfi, për çfarë t’i dojë qejfi pa pyetur askënd. Nuk mundet, ne kemi një kuadër ligjor në vend, i cili na çon në Gjykatë”, tha deputeti demokrat Sokol Olldashi.

“Nuk janë cënuar të drejtat e individit edhe shteti ligjor në Shqipëri. Sigurisht që cdo individ, qytetar ka të drejtën administrative të ankohet dhe pastaj t’i ndjekë procedurat ligjore përmes Gjykatave. Çdo gjë që është bërë me këtë vendim të Këshillit të Ministrave është tërësisht e bazuar në Kushtetutë dhe në legjislacionin në fuqi. Nuk është bërë as ligj i ri, as është shpikur diçka e re”, tha Gjermeni.

“Ky akt normativ, së pari dhe mbi të gjitha është në kundërshtim me Kushtetutën. Ai prek pikërisht atë të drejtë dhe atë garanci dhe mbrojtje të veçantë që Kushtetuta jonë, si Kushtetutë e një shteti që respekton parimin e shtetit të së drejtës, jep për pronën. Të ndërhysh tek ndërtimet e bëra me leje, apo dhe më tepër tek ato që i sillni si risi me leje të kundraligjshme, keni ndërhyrë faktikisht tek  mbrojtja që i bëhet kësaj prone nga Kushtetuta”, tha deputeti demokrat Genc Ruli.

Seanca dëgjimore shkaktoi debate të forta mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës e cila në fund i kërkoi qeverisë të kthejë mbrapsht këtë vendim pasi sipas saj, do të çojë qytetarët drejt gjykatës evropiane, duke shkaktuar kosto për vendin. 

Top Channel