Rama pret diplomatin amerikan Yee

30/10/2013 00:00

Kryeministri Rama, gjatë një takimi me Zëvendës-Ndihmës/Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, Hoyt Yee, u shpreh se qeveria që drejton do të angazhohet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kryeministri Rama siguroi zyrtarin e lartë amerikan, se Shqipëria do të jetë në krah të SHBA-ve në përpjekjet e përbashkëta për promovimin e paqes dhe sigurisë në botë.

“Ndër pikat ku politika shqiptare nuk ndahet, miqësia e partneriteti me
SHBA dhe aleancat në krah të SHBA, janë e do të mbeten një pikë
kryesore. Ndërsa kjo qeveri përkatësinë e Shqipërisë në këtë miqësi,
partneritet e aleancë të pandashme, e lexon edhe si detyrim për t’u
udhëhequr edhe në qeverisjen e vendit tonë nga vlerat e parimet që SHBA
mishërojnë e promovojnë si një shembull i shkëlqyer lirie, demokracie,
prosperiteti të bazuar në respektin për individin e në konkurencën e
lirë”, tha Rama, në një njoftim të shkurtër në rrjetet sociale.

Yee e falënderoi Kryeministrin për mbështetjen, që Shqipëria i ka dhënë rezolutës, 2118 mbi Sirinë, së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke mbështetur kërkesën e komunitetit ndërkombëtar për të vënë para përgjegjësisë regjimin e Assad-it.

Yee e siguroi Kryeministrin për mbështetjen e SHBA-ve në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Zv.Ndihmës/Sekretari amerikan u takua edhe nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Z. Yee e uroi zotin Basha për zgjedhjen në krye të PD-së, duke vlerësuar rolin jashtëzakonisht të rëndësishem që ka opozita, në funksionimin e një shteti demokratik.

Kreu i PD-së e siguroi zotin Yee, se opozita do të luajë një rol konstruktiv dhe është e përkushtuar të bëjë gjithçka, për vijimin e konsolidimit të vlerave të demokracisë, shtetit ligjor dhe mirëqenies së qytetarëve.

Zv.Ndihmës/Sekretari i DASH, një ditë më parë, u takua me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati dhe kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta. Në të dy takimet u vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve dhe zotimi për t’i thelluar ato.

Top Channel