
Partneritet mes Qeverisë, institucioneve dhe komunitetit të artit për
t’i dhënë jetë ideve përmes konkurrencave të ndryshme larg favoreve apo
diskriminimit.
Ky ishte mesazhi që përcolli Kryeministri Edi Rama gjatë ceremonisë së prezantimit të Ilir Kernit si drejtor i Teatrit të Operas e Baletit dhe Artan Shabanit, që do të drejtojë Galerinë Kombëtare të Arteve. Kultura shqiptare, tha Kryeministri, ka prekur gjurmët e rrënimit prandaj duhet një reformë tërësore.
“Ne do të hapim një faqe të re të Qeverisjes së kulturës dhe institucioneve kulturore për mbrojtjen e thesarit të trashëgimisë sonë kulturore dhe promovimin e talenteve, risive dhe vlerave bashkëkohore për rritjen e cilësisë së produkteve kulturore dhe artistike, por edhe rritjen e cilësisë së edukimit artistik dhe kulturor”, tha Rama.
Nga kjo ceremoni, Kryeministri i dërgoi një apel të gjithë talenteve shqiptarë në botë për të dhënë kontributin e tyre jo vetëm në kulturë, por edhe në fusha të tjera.
“I falenderoj me mirënjohje Ilir Kernin dhe Artan Shabanin për rikthimin me kohë të plotë në Atdhe, si përgjigje e një apeli që dua ta ribëj edhe sot për të gjithë njerëzit tanë të suksesshëm jashtë Atdheut, të cilëve u them se Shqipëria ka nevojë për talentin, aftësinë, eksperiencën, pasionin e tyre dhe profesionin dhe dashurinë e tyre për këtë vend, ku pa asnjë dyshim do të gjejnë gjithë mbështetjen time dhe të Qeverisë sonë për të kontribuar në sektorin publik në të gjithë fushat”, u shpreh Rama.
Mirela Kumbaro dha një panaromë të shkurtër të reformës së nisur nga institucioni që ajo drejton.
“Reforma do të jetë në radhë të parë një reformë në sistem, në koncept, si një kulturë për artistët, për krijuesit, por sidomos për të rinjtë. Ky është në fakt edhe thelbi i reformës së re kulturore që duam të vemë në zbatim. Kultura dhe institucionet publike të artit t’i hapen të rinjve, si pjesa më e madhe e popullsisë, por edhe si një element shumë i rëndësishëm i edukimit përmes kulturës, që është ndër shtyllat e programit politik të Qeverisë së re, në fushën e kulturës dhe të arteve”, u shpreh Kumbaro.
Top Channel