
Përmes deputetit Genti Strazimiri, opozita akuzoi ministrin e Brendshëm
Saimir Tahiri se kishte lidhje me një prej pronarëve të lojërave të
fatit, i cili u vra pak ditë më parë në Tiranë dhe i kërkoi atij të
bashkëpunojë me drejtësinë për zbardhjen e krimit.
“Prej disa ditësh, shtypi ka dhënë informacion tejet shqetësues mbi lidhjet e Ministrit të Brendshëm me të ndjerin Elvis Doçi, pronar lojrash fati, i cili u ekzekutua në një atentat mafioz para pak ditësh në Tiranë.
Ngjarja është mbuluar me mister, por mbi të gjitha, me heshtjen fajtore të vetë Ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri.Meqenëse në Komisionin e Sigurisë, zoti Tahiri ka kërkuar në mënyrë të përsëritur “sugjerimet” dhe “bashkëpunimin” tonë, në mënyrë shumë bashkëpunuese po i sugjerojmë të sqarojë opinionin publik për një sërë pyetjesh që qëndrojnë si hije mbi kokën e tij:Zoti Tahiri, cila është lidhja që keni me viktimën Elvis Doçi, i njohur si pronar lojrash fati ekzekutuar në mënyrë mafioze para pak ditësh në Tiranë? A ka lidhje vrasja e tij me operacionin e koduar “Fund Marrëzisë”? Zoti Ministër i Brendshëm, a keni komunikuar me viktimën dhe personat që e shoqëronin vetëm pak përpara krimit? A jeni i gatshëm të autorizoni Prokurorinë të këqyrë tabulatet e telefonit tuaj? Ndiqni sugjerimet tona zoti Ministër, bashkëpunoni vullnetarisht me organet hetimore, sepse e vërteta do të dalë dhe bashkëpunimi do t’ju sillte lehtësira. Neni 48, pika “dh”, i Kodit Penal”, tha Strazimiri.
Top Channel