Tahiri: Në emergjenca vetëm 570 USD

29/10/2013 00:00

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i thirrur nga Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare dha alarmin për situatën e vështirë ku ndodhet ky dikaster në përballimin e situatave të mundëshme të  emergjencave gjatë dimrit.

“Situata është aq alarmante sa që trashëgojmë gjithsej buxhet për të përballuar emergjencat civile 570 dollarë në total, pra 570 mijë lekë të vjetra, dy borëpastruese dhe tre fadroma të cilat janë në gjendje të mirë, por për të cilat nuk ekziston as manovratori, pra kemi makinat por jo drejtuesit dhe 26 mln dollarë borxhe në Ministrinë e Brendshme”, tha zoti Tahiri.

Debatet mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës në këtë Komision vijuan për cështjet e emërimeve në Policinë e Shtetit.

Spartak Braho, Kryetar i Komisionit Parlamentar të Sigurisë: Me frymën që erdhi kjo maxhorancë në pushtet do ndërronte ministrin, do ndërronte të tërë. Ca kujton ti që do rrije ministër akoma? Po c’është ky muhabet?! Do t’i ndërronte ai atje.

Flamur Noka, deputet i PD: Me ligj, bëji ndryshimet sipas ligjit. Nga goja e një ministri kur del akuza, kriminalizim masiv në polici, tradhëti ndaj policisë apo korrupsion masiv në polici, duhet të ketë fakte dhe këta njerëz duhet të shkojnë patjetër përpara drejtësisë.

Pirro Lutaj, deputet i PS: Ministri juaj, ditën e parë në vitin 2005 për 27 muaj ka bërë 1879 largime nga puna, ose 70 veta cdo muaj. Ka transferuar 5600 veta, ose 210 veta për cdo muaj. Ka punësuar gjatë kësaj periudhe 1331 veta, ose 49 veta në cdo muaj.

Ministri Tahiri hodhi poshtë të gjitha akuzat e opozitës, që sipas saj, me këto emërime është shkelur ligji.

“Unë besoj që drejtuesit e Policisë së Shtetit duheshin ndryshuar. Nuk i përgjigjeshin në asnjë rast domosdoshmërisë dhe prioriteteve të kësaj qeverie për të luftuar krimin. A ka gradën Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për të paktën 3 vjet? Përgjigjja është po. E ka thuajse dyfishin e kohës së kërkuar nga ligji. Rezulton e provuar se zoti Artan Didi ka shërbyer në gradën ekuivalente, sipas ligjit, me gradën Drejtues i Parë për një periudhë 5 vjet e 3 muaj, nga 3 vjet që parashikon neni 121 i ligjit 9749. Lidhur me emërimet, zoti Noka ka emëruar 85 veta që i ka emëruar në 28 maj dhe rrogën ua ka filluar më 15 maj. Pra këta merrnin rrogë kur nuk ishin në punë sepse e dinin që zoti Noka do i paguante në punë. Kjo do të hetohet sepse është shpërdorim detyre”, tha zoti Tahiri.

Top Channel