
Kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian për marrëdhëniet me
Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën, Eduard
Kukan, mbërrin të hënën në një vizitë dyditore në Tiranë, ku do të
marrë pjesë në punimet e Komitetit të 6 të Stabilizim Asocimit
PE-Shqipëri, ashtu siç dhe përcaktohet në nenin 122 në Marrëveshjen e
Stabilizim-Asocimit.
I parashikuar për t’u mbajtur gjatë tetorit 2012, ky takim ndërparlamentar u shty për në dhjetor dhe u anulua papritur, më pas, nga Kuvendi i Shqipërisë, por në punimet dyditore të këtij Komiteti do të marrin pjesë 11 eurodeputetë të cilët do të njihen nga afër me zhvillimet politike në vend.
“Do të donim sqarime edhe mbi disa lajme shqetësuese, që na erdhën në mbledhjen përgatitore për takimin ndërparlamentar, për bojkot të zgjatur të opozitës në disa takime komisionesh. Ne shpresojmë se këto janë zhvillime të pakonfirmuara apo rastësore, sepse të gjithë kanë një vullnet të mirë politik për të parë Shqipërinë të lëvizë më shpejt drejt Bashkimit Europian. Në këtë kuptim, ne të gjithë do ta përdorim këtë mundësi për të pasur një bisedë të hapur e të sinqertë me kolegët tanë”,- u shpreh pak ditë më parë Kukan. Nga njoftimi zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme mësohet se eurodeputeti Kukan do të mbajë një ligjëratë në orën 13:30, ku Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, do të çelë vitin e ri akademik, 2013-2014. Në këtë ceremoni, Kukan është i Ftuari i Nderit. Gjithashtu ai pritet të zhvillojë takime të veçanta me krerët e shtetit shqiptar.
Top Channel