Qeveria turke dhuron 1.3 milionë dollarë amerikanë në kuadër të ndihmës
ushtarake. Në mbledhjen e qeverisë është marrë vendimi për miratimin e
marrëveshjes së bashkëpunimit ushtarak financiar, ndërmjet Këshillit të
Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së
Turqisë.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet e ditur se “marrëveshja e bashkëpunimit ushtarak financiar konsiston në dhurimin, nga pala turke, të një shume prej 2 275 000 lirave turke ekuivalente me 1 137 500 USD, për blerje materiale e pajisje ushtarake, vizita, trajnime e kurse personeli dhe si kontribut për projektin e modernizimit të Aeroportit të Kuçovës.
Kjo marrëveshje vjen menjëherë pas takimit që Kryeministri Edi Rama pati disa ditë më parë në Prishtinë me Kryeministrin turk, Rexhep Taip Erdogan. Turqia, si anëtare e NATO-s ashtu si edhe Shqipëria, po synon të rrisë dominimin e saj edhe në nivelin ushtarak. Qeveria ka marrë një sërë vendimesh të tjera, si miratimi i marrëveshjes së financimit, ndërmjet KM-së, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Bankës Europiane të Investimeve, për asistencën teknike për projektin e rrugëve dytësore dhe lokale nr. 2 – mbështetje për zbatimin dhe qëndrueshmërinë.
Kjo ka vlerën e 1 250 000 dhe ka për qëllim mbështetjen nga Fondi i Përbashkët Europian i Ballkanit Perëndimor, të shërbimeve të konsulencës dhe asistencës teknike për projektin e rrugëve dytësore dhe lokale nr. 2. Një tjetër vendim është edhe ai “Për mënyrën e organizimit e të funksionimit të Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve”. Vendimi përcakton mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve, si një strukturë ndërministrore, që do të shqyrtojë, do të analizojë dhe do të propozojë masa të domosdoshme ligjore dhe administrative për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Gjithashtu u miratua në parim marrëveshja në formë granti prej 700 mijë dollarësh amerikanë për sigurinë rrugore. Ajo lidhet me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) e Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), që veprojnë si administratore të fondeve grant të siguruara nga disa donatorë, për përgatitjen e projektit të bazuar në rezultate për mirëmbajtjen dhe sigurinë rrugore.
Top Channel