Ministrja e Mbrojtjes Mimi Koledhi shprehu besimin se Shqipëria është tani më e aftë për të marrë përgjegjësi brenda NATO-s, deklaratë që ajo e bëri gjatë konferencës finale të integrimit të Forcave të Armatosura shqiptare me NATO-n. Por transformimi është një sfidë e vazhdueshme, deklaroi zonja Kodheli.
“Ndërsa ne përfundojmë fazën e integrimit, ne duhet të mendojmë se çfarë mund të bëjmë më mirë për t’u siguruar që kapacitetet dhe forcat tona t’iu përgjigjen kërkesave të Aleancës, të maksimizojnë përdorueshmërinë, si dhe të rrisin cilësinë për të përballuar sfidat e së ardhmes, si dhe aftësinë e tyre për rolin që kemi në të ardhmen në NATO, sidomos tani që Aleanca përgatitet për të tërhequr forcat e saj nga Afganistani pas vitit 2014”, deklaroi Kodheli.
Komandati i Komandës së Aleancës për Transformim, gjeneral Jean-Paul Palomeros tha se Forcat e Armatosura Shqiptare janë tashmë në prag të vlerësimit të integrimit të tyre në strukturat dhe Komandën e NATO-s në nivel operacional dhe strategjik, si dhe për të marrë të gjithë përgjegjësitë e tyre.
“Lajmi i mirë është se, si anëtare e plotë e familjes transatlantike, Shqipëria mund të mbështetet më shumë se kurrë në solidaritetin dhe ekspertizën e Aleancës, sidomos drejt objektivit për një forcë të mirëtrajnuar dhe të pajisur. Shqipëria mund të mos jetë vendi më i madh i NATO-s, por madhësia nuk ka shumë rëndësi në familjen tonë të madhe. Ashtu siç është shprehur Nënë Tereza, “Ne do të jemi besnikë ndaj gjërave të vogla, sepse aty varet fuqia jonë””, tha gjeneral Palomeros.
Ceremonia e nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët u bë nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneral-major Xhemal Gjunkshi dhe komandanti i Komandës së Aleancës për Transformim, gjeneral Palomeros.
Top Channel