“Top-Story”, financat dhe borxhi

24/10/2013 00:00

Ekonomia ishte faktori dominues i debatit politik në fushatën zgjedhore përpara zgjedhjeve të 23 qershorit.

Ndërsa në vitet e fundit kriza që ka pllakosur Eurozonën është ndjerë gjithmonë e më shumë në vendin tonë, qasjet e secilës forcë politike ndaj kësaj krize ishin të ndryshme.

Gjatë fushatës, e majta atëherë në politike përqendroi debatin mbi prapambjetjen ekonomike të vendit, edhe pse Shqipëria në këto tetë vite të vite të drejtimit të mazhorancës së djathtë nuk njohu asnjëherë recesion, por vetëm ulje konstante të rritjes ekonomike.

Tashmë, pozicionet duket se janë përmbysur, me opozitën e tanishme që akuzon qeverinë e re se me politikat e gabuara fiskale është duke shtyrë vendin për herë të parë në pothuajse 15 vjet në recesion.

Debati mbi ekonominë mbizotëroi edhe sot në Kuvend e për këtë u diskutua edhe të enjten, në emisionin e përjavshëm “Top-Story” të Sokol Ballës, me të ftuar analistë dhe deputetë që mbërritën direkt nga përballja politike në Parlament.

Në studion e Ballës mbërriti deputeti socialist dhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe dhe deputeti i djathtë e anëtar i këtij komisioni, Sherefedin Shehu.

Në rolin e analistëve, në debat u bashkua ish-deputeti dhe ministri i Financave, Arben Malaj, ish-deputeti Xhepa, analisti Shpëtim Nazarko dhe redaktori i çështjeve ekonomike në “Top-Channel”, Klodian Tomorri.

Duke nisur bisedën nga tema aktuale e aktit normativ të ndryshimit të buxhetit të shtetit, që ndeshi në një kundërshti të vendosur të opozitës, Braçe deklaroi: “Për të qenë të ndërshëm, do të doja të thoja se në radhë të parë, praktika e ndryshimit të buxhetit me akte normative i bie përballë kushtetutës. Unë që të gjithë kohës kam mbajtur këtë qëndrim në opozitë dhe këtë mbaj edhe tani, kjo nuk përputhet me kushtetutën gërm për gërm. Për këtë arsye, bashku me ministrin e Financave, Shkëlqim Canin ramë dakord dhe premtuam që kjo nuk do të ndodhë më, në mënyrë që buxheti i shtetit të mos ndryshohet me akt normativ”.

Ndonëse ky ndryshim, siç u pranua nga vetë Braçe bie ndesh me kushtetutën, ai përsëri mbrojti arsyen përse qeveria aktuale është duke bërë këtë ndryshim të buxhetit. “Ndryshimi me akt normativ i buxhetit të shtetit justifikon kushtet e emergjencës. Unë po ju jap një arsye shumë të rëndësishme, ligji i buxhetit të shtetit 2013 parashikonte një defiçit vjetor prej 16 miliardë lekë dhe vetëm në nëntë muajt e parë, defiçiti ka shkuar në 58,8 miliardë lekë të rinj. Faturat e papaguara janë një problem serioz dhe e gjithë kjo në një moment kur të ardhurat e realizuara kanë ardhur në një rënie të frikshme. Ishte i domosdoshëm ky akt në momentin kur të ardhurat në buxhet janë shumë më poshtë se parashikimi në ligjin për buxhetin, anë vetëm 234 miliardë lekë të rinj dhe kjo është një shifër e konsiderueshme që i ka dhënë impakt rritjes së këtij defiçiti. Mjaftojnë këto dy elementë për të thënë që akti ishte i domosdoshëm e buxheti duhej rishikuar me domosdoshmëri.
Mosrealizimi i këtyre të ardhurave, pa dyshim që reflektohet në borxh”.

“Çdo qeveri, kur rishikon buxhetin ka disa afate dhe rregulla. Respektimi i kushtetutës dhe i ligjit të buxhetit do ta ndihmojë mirëqeverisjen e vendit në të ardhmen. Buxheti ndryshohet pas korrikut me procedura të përshpjetuara dhe jo akt normativ, e përgëzoj Braçen këtu në studio që pranoi se kjo nuk është një procedurë e rregullt”, nisi argumentimin e tij në cilësinë e një prej personave që më mirë njeh financat dhe ekonominë e vendit zoti Malaj.

“Normalisht, qeveria niset nga shpenzimet dhe pastaj përcakton burimet. Situata është kritike me disa shpenzime që duhen paguar, pasi nëse deri në janar 2014 s’marrin lekë invalidët, buxheti mund të kursejë diçka, por këto shpenzime nuk mund të shmangen më pavarësisht kostos. i papuni e invalidi s’mund të presin që qeveria të shohë e paguan dot apo jo. Ka diçka që verej tek kjo rritje e defiçitit. Ndoshta po ndryshon praktika e manaxhimit të buxhetit. Qeveria mund ta ketë të lehtë të reflektojë buxhetin duke mospaguar, por kjo qeveri ka filluar nga shpenzimet që janë të detyrueshme deri në fund të vitit, paga, pensione, sigurime  dhe investimeve. Duke parë burimet në dispozicion, opozitës i bie detyra të shikojë shpenzimet, a po keqpërdoret buxheti apo ka mbetur në emergjencë për të respektuar detyrat e saj imediate”, komentoi Malaj.

“Sigurisht që kjo ashtuquajtur gropë buxhetore nuk është kaq e thellë”, nisi reflektimin e pozicionit të tij të kundërt deputeti Shehu. “Ajo që është më shqetësuese në këtë moment është se janë shkelur standartet e rishikimit të buxhetit, pasi është parë vetëm mosrealizimi i të ardhurave. Supozohet se kur vjen një qeveri e re pritshmëria është shumë e madhe, klima ose aspekti psikilogjik tek konsumatori është në favor të konsumit, por më duket krejt e papranueshme që të bëhet një ulje drastike e të ardhurave të parashikuara”.

“Megjithatë, lidhur me sa u diskutua, më duket normale që të rishikohet buxheti”, vazhdoi arsyetimin e tij Shehu. “Është e ligjshme, por dy gjëra dua të veçoj. Mekanizimi që përdoret është i paligjshëm dhe operacioni që bëhet në buxhet është i pajustifikuar, pasi gjendja nuk është aq kritike sa paraqitet pasi qeveria që iku në gusht kishte realizuar 63% të shpenzimve, kur gushtit i takon 66-70%. Qeveria e mëparshme ka qenë shumë e kujdesshme duke qenë se të ardhurat nuk po realizoheshin, e nga ana tjetër ka kontrolluar shpenzimet dhe ka lënë një mosrealizim nëntë miliardë lekë të planit të periudhës. Megjithatë, problemi ynë është se me një të rënë të lapsit rritet defiçiti buxhetor në këto përmasa të frikshme, një hua e tillë është skandaloze. Natyrisht që rritja do të rrisë koston e kredisë, por problemi tjetër është që në këtë rishikim nuk u konsideruan aspekte që i kontribuojnë stabilitetit”.

Në një replikë, zoti Braçe vendosi theksin në dy pika: “Impakti i paë vjen nga rënia e rritjes nga 3,1% që ishte parashikuar në 1,2, bazuar në të dhënat e dyshimta të INSTAT-it për këto gjashtë muaj të parë të vitit. Kjo është logjikë e thjeshtë ekonomike. Ka edhe një problem tjetër me të ardhurat. Në qershor hyri një paketë fiskale e paprogramuar, thjesht për qëllime elektorale, taksa makinave, heqja taksës TVSH dëmtuan buxhetit dhe kjo i ka dhënë efektet në këtë pjesë të vitit. i thonë pesë miliardë lekë të reja më pak”.

“A është e gabuar rritja borxhit? Po, por s’ka alternativa të tjera dhe kjo është një rritje e detyruar. Ky është i vetmi instrument për të parandaluar thellimin e të keqes ekonomike, futjen e ekonomisë në disa dinamika shkatërrimtare dhe pasoja shumë më të rënda. Nevoja për rishikimin e buxhetit më duket imediate”, deklaroi Xhepa.

“Pa u ndalur tek shifrat, të cilat na fusin në një labirint të ndërlikuar, dua të them se në historinë e Shqipërisë nuk di asnjë periudhë që s’kemi qenë në krizë e s’kemi pasur borxhe, vetëm në pesë vite me Zogun kemi pasur bilanc të balancuar, por pa pasur rritje ekonomike. Borxhi nuk është e keqja e madhe si e tillë, por borxhi është një mundësi ekonomike që çdo vend që e ka të pamundur të zhvillojë veten e përdor si instrument për të zhvilluar vetveten. Dinamikat e borxhit në Shqipëri, deri më sot nuk i kanë kompromentuar financat. Ama ky borxh, nëse rritja shkon në -1%, borxhi do të shkojë direkt -78% e do të shkonte mbi 110% të PBB-së nëse falimenton një bankë. Unë gjykoj se me këtë borxh nuk po na pret katastrofa, siç po serviret. Pse arritëm deri këtu? Dy arsye, e para kriza ndërkombëtare. E dyta, për hir të së vërtetës, të dy palët kanë votuar me dëshirë paketat fiskale që grisën thesin modest të financave tona publike, me partitë që bënin garë në fushatë kush do të ulte më shumë taksat. Këto politika, që kanë një theks të madh populismi janë të parashikuara të zbatohen dhe nëse këto nuk konsiderohen, atëherë rreziku më duket i shtuar”, analizoi ish-deputeti i djathtë, Selami Xhepa.

Më tej, ish-deputeti demokrat tha se mbështet marrjen e borxhit si e vetmja rrugë për të mos lejuar që ekonomia të bjerë në recesion:  “Borxhet duhen marrë për të mos lënë ekonominë të bjerë në recesion, të bjerë në atë gropë që kemi paralajmëruar. Ne kemi një rrezik shumë serioz dhe e vetmja varkë për të shpëtuar ekonominë në këto momente është huamarrja. Unë nuk mendoj që marrja e borxhit është një mundësi e keqe, por më mirë një rritje e ngadaltë e qëndrueshme dhe afatgjatë dhe me borxh se sa recesion. Unë gjykoj që kriza është e kapërcyeshme dhe plotësisht e menaxhueshme dhe që nga viti i ardhshëm Shqipëria dhe qeveria duhet të nisë nga reforma strukturore e ekonomisë. Sistemi tatimor dhe fiskal ka një impakt të jashtëzakonshëm, kemi sektorë realë të ekonomisë që janë të nënshfrytëzuara, por elementi i politikës fiskale luan një rol shumë thelbësor. Modeli ekonomik për të cilin flet qeveria, duhet të ketë në qendër cfarë argumenti fiskal do të përdorë”, tha zoti Xhepa.

Edhe deputeti i PS-së, Erjon Brace tha se nuk mbështet uljen e huamarrjes në këmbim të rënies ekonomike, por shtoi se është për shkurtimin e shpenzimeve parazite dhe luftë ndaj evazionit fiskal dhe monopoleve.

Përfaqësuesi tjetër i opozitës, Sherefedin Shehu deklaroi se qeveria duhet të heqë dorë nga përhapja e panikut dhe të vendosë në punë administratën, të ristrukturojë ekonominë me reformat e duhura. Ai tha se ekonomia në këtë moment qeveria kërkon stimul. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA