Zbulohen magazina, bllokohen 600 kompjuterë

22/10/2013 00:00

Policia e Tiranës ka zbuluar një tjetër bazë të paligjshme të pronarëve
të lojërave të fatit, ku janë sekuestruar rreth 600 kompjuterë.

Nga burimet policore mësohet se zbulimi i kësaj baze erdhi gjatë operacionit “Fund Marrëzisë”, i cili vazhdon prej disa ditësh për bllokimin e kazinove dhe sekuestrimin e pajisjeve të lojërave të fatit të paligjshme në vend. Çdo ditë, Policia e Shtetit raporton për mbyllje aktivitetesh të lojërave të fatit dhe nisjen e procedimeve penale të pronarëve që thuhet se kanë konsumuar veprat penale “organizim i lotarive të palejuara” dhe “vënia në dispozicion të lokaleve për lojëra të palejuara”.

Në lidhje me zhvillimet e fundit, Policia e Tiranës tha se dje ka zbuluar një bazë të paligjshme kompjuterësh për kazino, në bodrumin e një pallati në zonën pranë Urës së Shkozës. Burimet zyrtare thonë se gjatë kontrollit në objekt janë zbuluar dhe sekuestruar 600 kompjuterë dhe një sërë tavolinash të lojërave të fatit si dhe një sërë pajisjesh kompjuterike.

Menjëherë pas zbulimit, në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe një grup hetimor nga prokuroria. Nga hetimet paraprake të kryera rezulton se ky ambient magazine shërbente për grumbullimin e lojërave të fatit dhe kompjuterëve, të cilat janë të kompanisë Apex, me administrator shtetasin A. Kontaçi, 45 vjeç, me banim në Tiranë.

Nga të dhënat rezultoi se kompjuterët e sekuestruar në magazinën e zbuluar prej policisë nuk ishin të regjistruar. Si pasojë e kësaj, ata u dërguan në Lundër, ku janë grumbulluar të gjithë kompjuterët e sekuestruar në të gjithë vendin.

Ndërkaq, Policia e Tiranës ka çuar për ndjekje penale nëntë persona të tjerë, të cilët drejtonin biznesin e lojërave të fatit, duke mos paguar detyrimet ligjore ndaj shtetit. Sipas policisë, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj 34–vjeçarit Y. Çaushaj, pasi në afërsi të zonës së Pazarit të Ri, gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin Baste-Live, u gjetën dhe sekuestruan dy kompjuterë lojërash fati. Për të njëjtën arsye edhe ndaj R. Azisllarit, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë. Kontrollet kanë vijuar edhe në Kamzë, ku pronarit D. Xhaja, 38 vjeç, gjatë kontrollit të ushtruar në objektin e tij iu gjetën dhe sekuestruan 6 kompjuterë lojërash pa dokumentacionin përkatës. Edhe në zonën e “Myslym Shyrit” në lokalin “Elektronik Kazino”, në pronësi të T. Bardhoshit, 34 vjeç, u gjetën dhe sekuestruan 17 makineri elektronike. Personat e tjerë që janë proceduar për të njëjtën arsye janë 27-vjeçari E. Sulaj; 34-vjeçari E. Aliaj; 54-vjeçari B. Çaushi; S. Hidaj dhe E. Dollashi. Operacioni “Fund Marrëzisë” ka nisur pasditen e 14 tetorit, duke u vënë drynin pjesës dërrmuese të bizneseve në sektorin e lojërave të fatit.

Top Channel