
Në kuadrin e Ditëve Ndërkombëtare të luftës kundër kancerit të gjirit, anëtaret e Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë dhanë një mesazh ndërgjegjësues nga ambientet e Spitalit Onkologjik në Tiranë.
Mjekët e këtij spitali thonë se kanë mjaft mangësi në medikamente dhe mjete për të kryer punën e tyre. Ata shpresojnë tek një interesim i vazhdueshëm i politikës i cili do të sillte rezultate më të mira për këtë spital dhe për të gjithë sektorin e shëndetësisë.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, Albana Vokshi në mesazhin e saj bëri thirrje për ekzaminimin e hershëm me qëllim kurimin e kancerit të gjirit.
Deputetët e Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë kërkuan edhe ndihmën e shoqërisë civile për të patur rezultate më të mira në luftën ndaj kancerit të gjirit.
Sipas të dhënave jozyrtare, rreth 400 femra diagnostikohen me kancerin e gjirit gjatë një viti, ndërkohë që numri mendohet të jetë më i lartë. Kanceri i gjirit dhe sëmundjet kardiovaskulare janë dy shkaqet prej të cilave shënohen më shumë vdekje në të gjithë botën.
Top Channel