Vrasja tek Gjiri i Lalzit, policia kap njërin prej autorëve

21/10/2013 00:00

Policia e Durrësit ka arrestuar të hënën një nga bashkëautorët e vrasjes
së 25-vjeçarit Albert Bushaj, ngjarje kjo e ndodhur dhjetë ditë më parë
tek Gjiri i Lalzit.

Burime nga policia bëjnë me dije se është arrestuar 29-vjeçari Gjok Bushaj, i cili ishte shpallur në kërkim së bashku me 3 persona të tjerë.

Ngjarja e rëndë është shënuar më datën 11 tetor të këtij viti ku si pasojë e një konflikti mes anëtarëve të një fisi gjeti vdekjen 25-vjeçari Albert Bushaj si dhe u plagosën tre familjarët e tij.

Sipas policisë, konflikti ka nisur për shkak se stivat e drurëve të pishave të cilat ishin prerë më parë nga firma që po hapte një rrugë dytësore në zonë, u përvetësuan nga familjet e konfliktuara. Stiva e druve është pretenduar nga të dyja palët mes të cilave fillimisht ka nisur një debat i cili ka pasuar me përdorimin e armëve.

Pjesëtarët e familjes Bushaj kanë rrëmbyer armët duke qëlluar në drejtim të katër pjesëtarëve të familjes tjetër të fisit. Për pasoje mbeti i vrarë 25-vjeçari, Albert Bushaj, ndërsa u plagosen dy vëllezërit e tij 18 dhe 21 vjeç si dhe nëna e tyre 52-vjeçare.

Nga hetimet e kryera rezultoi se autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje janë shtetasit Bledar Bushaj, 25 vjeç, Gjok Bushaj, 29 vjeç, Luigj Bushaj, 53 vjeç dhe Agustin Bushaj, 19 vjeç, që të gjithë me banim në fshatin Drac, Ishëm.

Ndërkohë që njëri prej tyre është arrestuar, dhe pikërisht Gjok Bushaj vijojnë kërkimet për kapjen e autorëve të tjerë të dyshuar.

Top Channel