Sinan Tafaj, pretendon shikim për drejtësinë

21/10/2013 00:00

Aleksander Cipa – Kur deputeti socialist Erion Braçe, para pak kohësh,
shpalli mbështetjen e vet publike pro kandidaturës së zotit Sinan Tafaj
për anëtar i Gjykatës së Lartë të Republikës, mendova se kemi të bëjmë
thjesht me një akt politik prej deputetit.

Ky përfaqësues në Parlament nuk heq kurrë dorë nga kuraja për deklarime që thyejnë tabunë e disiplinës partiake, aq më tepër të PS-së së sotme.

Më befasoi gjetja që deputeti po i bënte kandidaturës me mbështetje publike. Në të vërtetë, falë skepticizmit që buron prej frymës politizuese që dominon mjedisin dhe shoqërinë tonë, mendova se është mënyrë tinëzare për të “djegur” një kandidat të tillë të veçantë e të rrallë, jo për shkak të vlerave që mbart si cilësi dhe aftësi profesionale, por mbi të gjitha, për shkak të tij, si zëri kryesor i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuar.

Në fakt, Sinan Tafaj është padyshim një përjashtim. Kemi të bëjmë me një individ me aset të plotë dijesh dhe kulture juridike. CV e tij flet vetë dhe kapërcen çdo pretekst burokratik për të qenë i përjashtuar nga e drejta si një kandidat, për këtë organ të lartë të gjyqësorit shqiptar. Gatishmëria e zotit Tafaj për këtë garë, buron nga vetëndierja si i barabartë me pretedentët e tjerë. Ai e ka formuluar drejt sentencën e mendësisë së vet se: “Një avokat i ndershëm është garanci për të qenë një gjyqtar i ndershëm”. Eksperienca mbi të cilën e bazon sigurinë se ia del edhe detyrës së anëtarit të Gjykatës së Lartë, e shtyn në motivimin: “Do të konkurroj me vlerat e mia profesionale, si një jurist me një eksperiencë mbi 30 vjet dhe avokat me eksperiencë mbi 20 vjet, si një person i përfshirë në jetën akademike, me grada shkencore dhe botime në fushën e së drejtës, si një avokat që ka ushtruar të drejtën e tij profesionale, si privat dhe si person publik avokat i të drejtave të njeriut të një numri të gjerë të qytetarëve të vendit. Besoj që një avokat i ndershëm dhe një avokat i aftë ka shumë shanse që të jetë një gjyqtar i ndershëm dhe një gjyqtar i aftë”, thotë zoti Tafaj.

Ky formulim i zotit Tafaj, i shprehur dhe adresuar publikisht, në një shoqëri të trazuar si e jona, shpërfillet ose kalohet me indiferencë. Në të vërtetë, rasti i tij është më shumë se një sfidë e hapur ndaj një margjine që e kemi ngritur përgjatë kohëve në mendësinë tonë kolektive. Zoti Tafaj vetëshprehet: “Unë nuk hyj këtu për të bërë një vlerësim të posaçëm si person me aftësi të kufizuar, apo si përfaqësues i ndonjë grupi, por dua që vlerësimi i kandidaturës sime të bëhet si një rast normal pa marrë në konsideratë kufizimin që kam unë, sido që është mjaft e vështirë që njerëzit më perceptojnë mua jashtë këtij kufizimi”.

Kandidati në fjalë meriton një mbështetje publike, jo për klasifikimin dhe përcaktimin e rezultatit, pasi ky është atribut i institucioneve dhe në rastin konkret të Presidentit të Republikës. Por mbështetja që do të ishte nderuese dhe sidomos çmuese për shoqërinë tonë, e në mënyrë të veçantë gjithë rrjetit të organizatave të shoqërisë civile që merren me të drejtat e njeriut, me kategoritë dhe individët me aftësi të kufizuara etj., etj., ta dëshmonin ndërgjegjen e tyre aktive në këtë mbështetje që thyen disa tabu dhe krijon precedentin e shkëlqyer të mosndarjes së realitetit nga reklamimi. Kjo mbështetje nevojitet sot në momentet kur palët politike e pranojnë se krimi dhe korrupsioni, padrejtësia dhe antiligji kanë triumfuar prej neutralitetit të drejtësisë ose prej verbërisë së saj. Kjo lëvizje dhe mbështetje duhet nxitur dhe frymëzuar, pikërisht në momentin kur krejt klimën shoqërore e dominon gjykimi fatal për drejtësinë. Nëse huazojmë një shprehje të Farred Zakarisë, kandidatura të tilla si e zotit Tafaj, emancipojnë barazinë ndër ne, por edhe sfidojnë verbërinë e drejtësisë që është “katandisur përtej çdo shpëtimi”. Lobimi apo fushata propaganduese për një kandidat për anëtar të Gjykatës së Lartë në një republikë normale mund të cenonte kodin etik të barazisë së konkurrimit, por në variantin e zotit Tafaj, ne do të fitonim bastin me thyerjen e një tabuje. Thyerja e kësaj tabuje, do të mishëronte në vetvete edhe kazusin e një barazie të triumfuar jo vetëm ndër kategoritë tona me dhe pa, aftësi të kufizuara, por do të zhbënte kriterin dominues të zbatuar gjatë gjithë epokës së tranzicionit, sipas të cilit parapëlqimi dhe mbështetja partiake, janë ato që “firmosin” suksesin dhe shpalljen e një kandidati fitues për vendet vakante në nivelet e larta të gjyqësorit. Këtë “verbëri” të kritereve të ndenjura dhe që e zgjasin jetën e drejtësisë shikimshkurtër, le ta kapërcejmë me një aprovim për kandidatin e veçantë që pretendon dhe mbart kurajë dhe dije profesionale, prej të barabarti.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA