
Kelmendi është një zonë me mundësi turistike të jashtëzakonshme në të gjithë territorin e tij që kulmon në skajin më verior të vendit në Vermosh.
E megjithatë, natyra e njerëzit duken në antiteze të plotë me vëmendjen shtetërore e investimet në këtë zonë…
Premtimet kanë qenë të shumta, por ato sigurisht nuk e bëjnë më të shkurter rrugëtimin që duket i pafundëm nga Shkodra në Vermosh, edhe pse në letër janë thjesht 95 kilometra.
Punimet e zvarrëta të Fondit Shqiptar të Zhvillimit i kanë bërë disi më pak të frikshme kthesat marramendëse në vendin e ashtuquajtur Leqet e Hotit.
Por, edhe pse punohet, makina e lartë është një domosdoshmëri për të mos rrezikuar ndonjë surprizë të mundshme gjatë rrugëtimit degëzues mes gropave. Punimet vazhdojne deri në Tamarë, më pas është një xhungël…
Nga Tamara, që është edhe qendra e Komunes Kelmend marrim për në Kozhnje. Një shteg i frikshëm disa kilometersh, e pas tij fshati që edhe pse ngjason me një parajse të vogel mes maleve përtej natyres fsheh një realitet tjetër.
« Nga ana e natyrës duket që është e bukur për ata që vijnë të bëjnë pushime këtu, por për ne që jetojmë nuk është edhe aq bukur », të thonë në Kelmend.
Banoret pa asnjë mbështetje jetojnë thuajse në kushtet e izolimit. Të udhëtosh drejt Shkodrës duhet ta mendosh mirë…
« Kushton 5 mijë lekë vajtje dhe 5 mijë ardhje deri në Shkodër, pra 10 mijë lekë të vjetra. Nuk ka asnjë lloj drejtimi, këtu nuk punon askush, nuk vihet kurrë dorë », ankohet një banor i komunës.
Edhe në Vukël, fshatin me tej, gjithçka duket e njëjte… Thjesht dhe vetëm një imazh qe perseritet e perseritet lodhshëm.
Banoret, më së shumti jetojne me një litar të gjatë borxhesh lidhur pas fytit e qe i merr dita ditës frymëmarrjen. E në këto kushte edhe ato duhen kursyer sado.
Gjithçka duhet bere me krah kjo eshte mundesia e vetme ne kushtet aktuale. « Me krah , me shpinë, kqyre litarin ku e kam që ketu.. Me litar në krah gjithmonë, ndryshe nuk kemi me çfarë t’i mbajmë”, ankohet një banor i Vukëlit.
Rikthehemi rruges kryesore edhe pse ajo mund te quhet gjithçka pervecse nje vend ku duhet te ece makina e qe te drejton nga Tamara per ne Selce… edhe ketu zhgenjimi preket kudo.
“Problemi është se njerëzit që kanë pushtet mundohen më shumë për vete se sa për popullatën”, ankohen në Selcë.
Mes kreshtave, gjelberimit, ngjyrave, bujtinave, Lepusha duket me shume nje pikture e natyres… Mëkat qe fshihet pas nje harrese te tille.
Pas 4 oresh udhetim nga Shkodra duket Vermoshi… Ne vijme nga Shqiperia dhe aksi i pershtatet realitetit tone, ndersa rruga 8 kilometra qe vjen nga Mali i Zi eshte e shtruar e ploteson çdo standart të kërkuar.
Edhe turistet vijne e ikin vetem nga ky krah, edhe lidhjet fshati i mban vetem ketej. Sigurisht, kur nuk ka asnje zgjidhje tjeter prej vendit amë, gjithçka ato bëjnë në këto kushte duket e drejte e askush nuk ka të drejtë t’i gjykojë !
“Detyrohem të vijnë nga Mali i Zi se nuk mund të bëjnë udhëtim brenda Shqipërisë pasi rruga është katastrofë, automjetet nuk mund të udhëtojnë. Turistët nuk vijnë me karroca apo kamiona, por me vetura. Ato nuk mund ta përballojnë dot rrugën nga ana tjetër”, shpjegon një banor i Vermoshit.
Në Vermoshin që njihet si një ndër perlat e natyres shqiptare, vështirësitë duket se nuk kane fund..
“Kryesorja për ne është të mbahet rruga hapur, të kemi energji elektrike, por mbi të gjitha shëndetësia. Këtu për një gjilpërë vdes sepse s’kemi mjek. Është një infermiere që vjen nëpër fshat, po ajo s’ka as ilaçe dhe as kurrgjë”, të tregojnë realitetin e trishtë në skajin verior të Shqipërisë.
Rruga, energjia, shëndetësia, por edhe valët e telefonit. “Çdo komunikim detyrohemi ta realizojmë nga Mali i Zi, por shumë nuk kanë telefonë të arritshëm në Shqipëri. Na shkëputet linja, po edhe ato janë valë të vjedhura”…
Dikur, këtu ka pasur spital ku beheshin edhe operacione, ka pasur degë të postes, dhe deri ne 1 990 jetonin rreth 2 mije banore , ndryshe nga sot ku jane tkurrur ne vetem 100 familje. Plot 250 shtepi ngrenë krye te braktisura e mes tyre edhe kulla historike e bacës së Kelmendit, Prek Calit edhe ajo e rrënuar.
Shkojmë natën …Vermoshi shuhet ngadalë, dredhojmë sërisht Kelmendit. Tokës ku braktisja po mbyt thellësinë e historisë dhe skalitjet e natyrës.
Top Channel