Ministria e Arsimit dhe Sportit ka shkarkuar 59 drejtues dhe punonjës në Drejtoritë Arsimore Rajonale të vendit.

Ministrja Lindita Nikolla, në një konferencë për shtyp, bëri me dije se, gjatë një inspektimi të bërë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në të gjitha Drejtoritë Arsimore Rajonale të vendit u vunë re mangësi serioze në funksionimin e tyre, ndërkohë theksoi faktin se këto problematika kanë ardhur për shkak të emërimeve politike dhe korrupsionit.

“Vendimet, urdhrat e drejtorëve të DAR, në shumicën e rasteve nuk janë të pa argumentuara. Nuk ka urdhra për ngritjen e komisioneve të vlerësimit të punonjësve, nuk ka vlerësim mbi bazën e dosjeve personale, nuk ka procesverbale për këtë qëllim, duke shkelur parimin e barazisë për kandidatët, pasi kriteri i vetëm i përzgjedhjes ka qenë korrupsioni, militantizmi dhe asnjëherë profesionalizmi. Në vetëm 26 shkolla të monitoruara, konstatuam 119 mësues të emëruar mbi normën e përcaktuar nga ligji. Në të gjitha DAR nuk ka raporte monitorimi apo vlerësimi, relacion apo studime për zëvendësimin, apo ndryshime pune të punonjësve midis institucioneve arsimore. Nuk ekziston asnjë procedurë standarde e vlerësimit të arritjeve të punonjësve në këto drejtori”, tha Lindita Nikolla.

Në fund të fjalës së saj gjatë konferencës, ministrja Nikolla lajmëroi hapjen e procedurave të konkurseve për përzgjedhjen e drejtorëve të Drejtorive Arsimore Rajonale të të gjitha qarqeve.

Top Channel