“Pronat”, Toro: Të fuqizohet AKKP

21/10/2013 00:00

Në fundjavë Top Channel transmetoi lajmin se Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave është në një kaos të vërtetë pasi 7 mijë dosje të qytetarëve që kanë aplikuar për të zgjidhur cështjet e pronës, kanë krijuar një mal me dokumenta, ndërsa nuk u është dhënë asnjë zgjidhje për një kohë të gjatë.

Për të folur më shumë mbi këtë cështje, në studion e edicionit qendror të lajmeve në Top Channel ishte i ftuar, Agim Toro, zv.drejtori i AKKP-së dhe Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”.

Ilir Paço: Pse ky akumulim i 7 mijë dosjeve dhe për cfarë harku kohor bëhet fjalë këtu?

Agim Toro: Në radhë të parë është e vërtetë që janë 7 mijë dosje pa vendimmarrje, por duhet të kemi parasysh që në fund të vitit 2008, pranë 12 zyrave rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, u hapën mijëra dosje të menjëherëshme sepse mbyllej afati më 31 dhjetor të vitit 2012. Njëkohësisht, prej 1 viti e gjysmë, janë 1300-1500 dosje me rivendosje në afat, po të kemi parasysh që ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave lejon subjektet e shpronësuara që me anë të një vendimi gjyqësor të hapin apo rihapin dosjet pranë AKKP-së. Kjo situatë ka ardhur edhe si pasojë e mbarjtes nga 2008, ku u shkrinë gjithë zyrat rajonale të AKKP duke përqendruar të gjithë punën në Tiranë, por njëkohësisht edhe si rezultat i hapjes së dosjeve të reja pranë AKKP-së.

Ilir Paço: Nuk funksionon ligji për këtë situatë, apo çfarë?

Agim Toro: Ligji funksionon por a jemi në gjendje ne si agjenci që të zbatojmë ligjin në kohën e duhur? Unë mendoj që AKKP, ashtu sic edhe ka përcaktuar Gjykata Europiane e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, duhet fuqizuar. Në AKKP sot kemi vetëm katër sektorë të kthimit dhe kompensimit të pronave që përballojnë fluksin për 4-5 qarqe, në një kohë që në vitin 2009 apo 2008 ishin 12 AKKP pranë qarqeve. Në këtë aspekt, numri i punonjësve të AKKP-së, në vend që të fuqizohej, ka ardhur duke u reduktuar dhe është domosdoshmërisht e nevojshme që kjo agjenci të fuqizohet me infrastrukturë dhe punonjës.

Ilir Paço: Cila është zgjidhja? Cilat janë reformat që duhen ndërmarrë? Cfarë duhet ndryshuar?

Agim Toro: Duhet ndryshuar në radhë të parë ligji, të vendosen afate kohore të reja për zgjidhjen e këtij problemi. Në radhë të dytë me fuqizimin e AKKP-së do të kemi hapësira më të mëdha sepse për të dhënë një vendim, duhet të kemi parasysh që janë tituj ekzekutiv për të dhënë pronësi dhe duhet vajtur në terren që nga Vermoshi e deri në Konispol. Por AKKP ka vetëm dy mjete për të vajtur në terren dhe numri i punonjësve kaq të kufizuar, sjell vonesat.

Ilir Paço: Çfarë fature ka dhe për sa kohë mendohet që çështja të marrë përfundimisht zgjidhje?

Agim Toro:
Një faturë zyrtare nga AKKP nuk ka. Po punohet për llogaritjen e kësaj fature. Shoqata “Pronësi me Drejtësi” ka llogaritur që është një shifër prej 20 miliard eurosh, një shifër që takspaguesi shqiptar e ka shumë të vështirë për ta përballuar dhe në këtë aspekt ka nevojë për ndryshime në ligj për t’iu kthyer kthimit fizik të pronës dhe të luftohet korrupsioni. Duhet të kemi parasysh që për taksapaguesit shqiptarë, vendimmarrjet e Gjykatës së Strasburgut janë shumë të rënda, në Gjykatë janë qindra dosje për t’u shqyrtuar dhe mbi të gjitha kemi një detyrë direkte nga KE në 12 pikat që i kanë vendosur Shqipërisë për t’u anëtarësuar. Në këtë aspekt mendojmë që cështja e pronës duhet të jetë cështje kryesore e qeverisë së tanishme, e mazhorancës për ta zgjidhur.

Top Channel