Në kërkim të një profili qeverisës

21/10/2013 00:00

SKËNDER MINXHOZI – Një godinë pesëkatëshe e hedhur në erë me dinamit
pranë Fakultetit Ekonomik, ka qenë dje ngjarja më e ndjekur nga ushtria e
telekamerave të televizioneve kryesore të Tiranës.

Pas përdorimit të 300 kallëpeve dinamit, godina ka qëndruar në këmbë, si për të dëshmuar edhe një herë simbolikisht, kompleksitetin që përmban brenda saj, dosja e ndërtimeve pa leje në Shqipëri. Spektakli i djeshëm i rrëzimit të këtij ndërtimi pason vullnetin e përsëritur shumë e shumë herë të qeverisë së re, për të vendosur rregull në katrahurën urbanistike të vendit tonë. Prezenca e krerëve më të lartë të Ministrisë së Brendshme në aksion, konfirmonte faktin edhe ashtu të thjeshtë për t’u kuptuar, se ky gjest i fortë në mes të Tiranës, madje pranë një institucioni arsimor, ishte i menduar e jo spontan. Mesazhi është i qartë: duhet vendosur rregulli dhe duhen shpëtuar institucionet nga pesha e rëndë e arbitraritetit dhe e shkeljes së ligjit. Pas këtij paralajmërimi publik, të gjithë janë të njoftuar!

Një muaj pas ardhjes në krye të qeverisë, Edi Rama po vijon të ngulmojë në krijimin e një profili prej ndëshkuesi në timonin e shtetit. Ky është në fakt themeli i filozofisë që përmban brenda vetë termi “rilindje”, e cila është premtuar në mënyrë të përsëritur, se do të jetë një thyerje epokale në procesin qeverisës në Shqipëri. E nëse ky pretendim ka shkaktuar jo pak mosbesim, ironi dhe kundër-reagime të kundërshtarëve politikë, Rama vijon të pretendojë se kalimi nga statusi i kandidatit për kryeministër, në atë të shefit të qeverisë, nuk ia ka pakësuar aspak dozën e entuziazmit.

Ideja e tij fillestare, se pas tetë vjetësh qeverisje të Berishës, shumëçka duhet ribërë ose më së paku modifikuar, po nis të marrë formë ngadalë, nën listën gjithnjë e më të gjatë të vendimeve të qeverisë e agjencive të tjera të saj, nën zhurmën e tritolit e matrapikut, apo nën imazhin e qindra shiritave që kanë vulosur këto ditë dyert e kazinove e sallave të lotosportit. Ashtu siç kishin kërcënuar gjatë fushatës, qeverisësit e rinj po nisin të ndërtojnë imazhin e një shteti impulsiv dhe reagues, që duhet të zëvendësojë traditën e gjatë të bashkëjetesës së shtetit me të keqen, që tranzicioni pruri me vete në dy dekadat e fundit.

Kryetar i Bashkisë së Tiranës për më shumë se një dekadë, Edi Rama e di më mirë se kushdo peshën dhe vlerën e atij që quhet “aksioni i dukshëm” (visible action). Ka premtuar shumë gjatë fushatës zgjedhore, ka marrë angazhime në të katër anët e busullës, e tani që ka hyrë në zyrë, teksa sheh financat gjysmë bosh, po përpiqet të ndërmarrë disa veprime të shpejta dhe me efekt, në sytë e opinionit publik. Pas “makijazhit” të zyrave të Kryeministrisë, është ndërhyrë fort dhe me precedencë në rend dhe siguri, duke goditur me masa ekstreme disa nga hallkat kryesore të Ministrisë së Brendshme. Ka përpjekje për të bërë të njëjtën gjë në tatime dhe dogana, duke ndëshkuar si fillim sektorin e lojërave të fatit, një gangrenë e vërtetë sociale, që Bashkia e Tiranës kishte premtuar ta largonte nga mjediset e banimit të kryeqytetit, por që vijonte i pashqetësuar të vegjetonte në xhunglën urbane të Tiranës. Së treti, qeveria ka nisur t’i japë formë një shkurtimi drastik të njësive të pushtetit lokal, duke startuar një reformë e cila, nëse do të zbatohej kështu siç premtohet sot, do t’ia ndryshonte njëherë e mirë faqen këtij segmenti të qeverisjes. Eliminimi i mbi 280 njësive të pushtetit lokal përbën një akt padyshim të guximshëm, vetëm pak më shumë se një vit e gjysmë nga mbajtja e zgjedhjeve të ardhshme administrative.

Nga ana tjetër, për shkak të kompleksitetit të situatës, mungesës së fondeve dhe të bazës ligjore, ndërhyrjet në ekonomi, shëndetësi e arsim duken më të ngadalta. Do të duhet pritur të paktën deri në aprovimin e buxhetit të ardhshëm, për të kuptuar se cili do të jetë kursi i qeverisë së re në këta sektorë.

Megjithëse një qeveri njëmujore është de facto një qeveri pa bilanc, kabineti “Rama” po përballet me një presion të pritshëm e deri diku të kuptueshëm nga ana taktike, të opozitës së djathtë, për të mbajtur premtimet që ka bërë në fushatën e 23 qershorit. Publicitetit që qeveria u bën lëvizjeve të saj të para, opozita i ka kundërvënë ofertat elektorale të Ramës për shëndetësi pa para, qindra mijë vende pune dhe legalizime falas. Në këtë përplasje të përditshme, qeveria duhet t’i bëjë ballë edhe presionit që vjen nga brenda kampit të saj, pas një vale emërimesh që kanë lënë më shumë se një pikëpyetje pas. Vetë Rama i ka mbrojtur të emëruarit e tij, duke i reklamuar si provën e filozofisë së re qeverisëse që po ndjek, por ky pretendim duhet të kalojë nëpër provën e zjarrit të rezultateve konkrete.

Tridhjetepesë ditë më parë, qeveria “Rama” mori votëbesimin në Kuvendin e Shqipërisë. Prej këtyre thuajse pesë javëve, dy të tilla kryeministri i ka kaluar matanë Atlantikut. Në pjesën që mbetet, Edi Rama ka vijuar t’i mbetet besnik kredove të tij politike, duke i dhënë qeverisjes së tij profilin që ai vetë kërkonte që gjatë fushatës elektorale. Një qeveri që në pritje për të mbushur arkën dhe për të kaluar në Parlament reformat që po inicion, duhet të operojë me profilin e ndëshkimit të asaj që gjykon se është ndërtuar e shtrembër e në kundërshtim me ligjin. Sa për premtimet e tjera, për to duhet kohë, energji dhe vizion.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA