
Rreth 4 mijë gra identifikohen çdo vit nga tumori i gjirit, por numri i të prekurve duhet të jetë më i madh.
Kështu ka deklaruar ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, në Konferencën Ndërkombëtare, mbajtur në Ditën Botërore të depistimit të kancerit të gjirit.
“Kanceri është sot shkaku i dytë madhor i vdekjeve në vend, pas sëmundjeve kardio-vaskulare me 4000-4500 raste të reja të raportuara çdo vit, sipas të dhënave të sistemit statistikor në vend. Ndërkohë që një vlerësim tjetër flet për rreth 7-8 mijë raste në vit. Një nga zotimet madhore tonat është ngritja e nje sistemi unik dixhital shëndetësor, me të cilin do të lidhen aktorët e sistemit shendetësor publik dhe jopublik, ku në qendër të sistemit do të jetë qytetari dhe dosja e tij elektronike shëndetësore”, u shpreh Beqja.
I ftuar në konferencë ishte dhe Kryeministri Edi Rama. Në fjalën e tij zoti Rama vuri theksin në rritjen e informimit të popullatës mbi parandalimin e kësaj sëmundje të rëndë, pasi sipas tij duhet ngulitur në vetëdijen e grave dhe vajzave që kërcënimi nga kanceri i gjirit është përditshëm.
“Eshtë një aksion që përfshin një spektër shumë të gjerë aktorësh shoqërorë dhe politikë, në nivel kombëtar dhe vendor. Duhet një qasje që të orientojë politikat për shëndetin e gruas, duke vënë në fokusin e tyre faktorët socialë, që kanë influencë të drejtpërdrejtë në shëndetin e vajzave dhe të grave dhe që ndikojnë drejtpërdrejt në sëmundjet, të cilat prekin ekskluzivisht trupin e vajzave dhe grave. Kanceri i gjirit është një fjalë që kërcënon çdo ditë. Shumë vajza dhe gra mund ta parandalojnë kancerin e gjirit, duke u kontrolluar”, u shpreh Rama.
Më tej specialistë onkologë kanë kërkuar nga qeveria rritjen e buxhetit për medikamentet bazë që trajtojnë sëmundjet e kancerit, si dhe kapacitetet diagnostikuese jo vetëm në Tiranë, por dhe në spitalet rajonale.
Top Channel