Efektet e rritjes së çmimit të naftës, shtrenjtohen biletat për linjën Korçë-Tiranë dhe anasjelltas, qytetarët duhet të paguajnë 200 lekë më shumë Bledi Çuçi, Ministër Shteti për Çëshjet Vendore në një intervistë për Top Channel deklaron se Shqipëria sot vuan nga mungesa e një qeverisjeje të vërtetë vendore në shumë komuna të vëndit. Prandaj pohon ai reforma administrative merr një rëndësi të veçantë.
“statistikat janë alarmente përsa i përket funksionimit të qeverisë vendore në një pjesë të madhe të territorit të Shqipërisë. Sa për ta ilustruar mund të them që ka komuna të tëra që nuk japin shërbime fare për komunitetet, ka komuna që nuk realizojnë të ardhura, zero të ardhura për buxhetet e tyre, ka komuna që shpenzojnë 80-100 përqind të buxhetit të tyre vetëm për pagat e punonjësve të tyre. Kur flas për këto komuna është në nivelin 50 % e komunave të Shqipërisë. Një nga shkaqet kryesore është fragmentimi i madh i hartës së Shqipërisë, e ndarë në një numër shumë të madhe komunash. Kështu që Shqipëria ka një nevojë urgjente të rishikimit të hartës administrative-territoriale”, thotë ministri Çuçi.
Por sa do të jetë numri i komunave në pas kësaj reforme?
“Nuk ka rëndësi që të kemi një numër të saktë komunash se sa të ngremë entitete të tilla në raport madhësie, numër popullsie, kompetence dhe mënyre demokratike e të zgjedhurit të administratorit, pra duke ngritur një raport të entiteteve të tilla që të jenë vetë funksionale, që të japin shërbime efikase për komunitetin dhe të krijojnë zhvillime për komunitetet që ato përfaqësojnë”, sqaron zoti Çuçi.
Agron Haxhimali drejtues i Shoqatës së Komunave, thotë së kjo nismë e qeverisë është mirepritur dhe ka interes që reforma të kryhet.
“Ne mendojmë që kjo reformë duhet bërë, por që ta bëjmë brenda zgjedhjeve të vitit 2015 ne gjykojmë që është e pamundur. Është një sfidë e madhe. Mendojmë që Shqipëria në kushtet politike dhe ekonomike nuk ka kohë për të luajtur me kartën e ndryshimeve në këtë sfidë. Ne gjykojmë që kjo reformë duhet bërë dhe duhet të mbyllet në vitin 2019. Edhe nga studimet tona dhe në rekomandimin që i është bërë qeverisë nga Shoqata e Komunave është që të ketë një përgjysmim të njësive të qeverisjes vendore. Mendojmë që mund të kemi rreth 160 njësi të qeverisjes vendore dhe ne mendojmë që pas zgjedhjeve lokale të 2015, të kemi këtë hartë me 160 njësi vendore”, thotë Haxhimali.
Por ministri Çuçi mendon të kundërtën.
“Koha është mëse e mjaftueshme po të kesh vullnet për ta bërë një gjë të tillë dhe modelet europiane që na vijnë flasin për një periudhë 1-vjeçare ose më tepër të zbatimit të reformave territoriale. Por ajo që dua të them është që ne nuk jemi në pikën zero për reformën. Ne e kemi nisur të paktën me pjesën e analizës, për të evidentuar nëse ka nevojë Shqipëria për një reformë territoriale apo jo, tashmë këtë e kemi kaluar”, deklaron ministri Çuçi.
Top Channel