Nënë Terezën po e fyejmë përsëri

20/10/2013 00:00

Nga Ilir Yzeiri – Dje u përkujtua 10-vjetori i Lumturimit të Nënë Terezës. Edi Rama, Kryeministri i ri i Shqipërisë, siç raportuan mediat, shkruante: “Plot 10 vjet nga Lumturimi drejt Shenjtërimit i Nënë Terezës, krenari për popullin e vogël të gruas së mrekullive. Qoftë me ne bekimi i saj.” Ndërsa unë do të thosha tjetër gjë. Jo! Mos qoftë me ne bekimi i saj, sepse ne e kemi përdhosur në mënyrë të turpshme një amanet të sajin dhe kemi shënuar me këtë rast një akt të rëndë korrupsioni.

Pse ne? Sepse në atë megamashtrim jemi fajtorë të gjithë. Unë personalisht nuk do të resht as edhe njëherë pa e përmendur me zë të lartë: përse nuk u ndërtua spitali me emrin “Nënë Tereza”? E kam fjalën për historinë e largët të vitit 1993, kur Nënë Tereza erdhi në Shqipëri dhe qëndroi një kohë bukur të gjatë këtu. Ajo shfaqi dëshirën që të ndërtohej një spital me emrin e saj në vendin ku kishte nisur të ndërtonte një spital shqiptaro-italiani Konti Ferra, prapa pallatit të sportit “Asllan Rusi” ose te Fusha e Aviacionit. Unë këtë dosje e kam bërë publike disa herë dhe kam treguar me fakte se shteti shqiptar dhe Fondacioni “Zoja e Këshillit të Mirë” duhet të na japin një përgjigje se përse nuk u mbajt amaneti i Nënë Terezës dhe përse nuk u ndërtua spitali?

Për këtë denoncim që kam bërë qysh në vitin 2009, kam përfunduar në gjykatë së bashku me kolegun tim Andrea Stefani. Për rreth një vit jemi endur dyerve të gjykatës derisa padia u tërhoq. Mirëpo gjërat kanë mbetur ashtu siç kanë qenë. Unë jam gati të përballem përsëri me të gjithë ata që kanë dorë në mospërmbushjen e këtij amaneti dhe t’u tregoj me fakte se ajo tokë, që është në zotërim nga Fondacioni “Zoja e Këshillit të Mirë”, i është dhënë këtij enti për të ndërtuar spitalin “Nënë Tereza” në fillim, pastaj edhe ndonjë aktivitet tjetër. Edi Rama bën mirë që kujtohet për këtë përvjetor.

Unë jam çuditur se edhe dje në opozitë, nuk kam dëgjuar as edhe një fjalë nga përfaqësuesit e PS-së për këtë mosmbajtje të amanetit, pra nuk kam dëgjuar qoftë edhe një fjalë që ndonjë përfaqësues i PS-së së djeshme të dilte në një konferencë shtypi dhe të kërkonte se përse nuk po ndërtohet spitali që iu premtua Nënë Terezës dhe për të cilin shteti shqiptar vuri në dispozicion 100 mijë m² tokë dhe shumë lehtësi të tjera, ndërsa shteti italian, siç dëshmoi Gjykata e Llogarive në Lacio disa vite më parë, ka dhënë shuma të konsiderueshme.

Më e çuditshmja është se Ministria e Shëndetësisë sa herë është pyetur nga ana ime për këtë çështje, është përgjigjur se nuk zotëron asnjë dokument dhe se nuk ka asnjë gjë për të thënë. Sot dua ta pyes publikisht Edi Ramën nëse do të interesohet se përse nuk u mbajt amaneti i Nënë Terezës dhe përse nuk u ndërtua spitali me emrin e saj? A ka dijeni Edi Rama për këtë histori dhe kur do ta sqarojë opinionin publik mbi këtë aferë aspak dinjitoze që na turpëron të gjithëve. Po ashtu, i drejtohem publikisht edhe ministrit të Shëndetësisë, zotit Ilir Beqja, dhe dua t’i them se çfarë hapash do të ndërmarrë institucioni që ai drejton për ta zbardhur këtë çështje. E kam thënë edhe në shkrime të tjera dhe do të vijoj ta them përsëri e përsëri, se njeriu që duhet të sqarojë këtë aferë është Tritan Shehu, sepse në kohën që ai ishte ministër Shëndetësie u nënshkrua kontrata për ndërtimin e spitalit. Po ashtu, shkelja e një amaneti të tillë duhet të na bëjë të gjithëve supersticiozë.

Kam parë ditë më parë në lajme se në atë terren ku do të duhej të ngrihej edhe spitali që iu premtua Nënë Terezës, qindra të rinj italianë kishin ardhur të konkurronin në degë të ndryshme të Fakultetit të Mjekësisë që është hapur në Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë”. Specialistëve u ka bërë përshtypje se ai fakultet mjekësie është i vetmi në Shqipëri që është licencuar pa pasur një spital. Sikur të ishte ndërtuar dhe spitali që iu premtua Nënë Terezës, ai vend me të vërtetë do të ishte i bekuar. Mirëpo, ashtu siç e kam thënë edhe herë të tjera në shkrimet që kam bërë për këtë argument, unë jam supersticioz dhe nuk ndihem mirë po të futem në atë territor dhe të ushtroj aty një veprimtari të caktuar.

Do të më duket sikur nga çasti në çast do të ndesh aty trupin e vogël të Nënë Terezës dhe sytë e saj të ndritshëm që do të më thonë se përse nuk e mbajtët amanetin. Ai vend është shuguruar me këtë amanet. Madje në themelet e spitalit, Sali Berisha kur ishte president në vitin 1993, ka hedhur brenda një shishe me një kopje të kontratës si një shenjë pak folklorike, që amanetin nuk e tret dheu. Mirëpo dheu po tret trupin e vogël të Nënë Terezës dhe amanetin jo vetëm që na e ka lënë jashtë, por ai na vërtitet përditë në fytyrë si një shuplakë që na shkund e na thotë se nuk duhet të kishit arritur deri këtu, nuk duhet të ishit tallur me amanetin e Nënë Terezës, të paktën jo me atë…

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA