Andrea Stefani – Sot nuk mund të shkruaj për asgjë tjetër. Për asnjë nga
ato që i quajmë të rëndësishme për shtetin, demokracinë dhe lirinë.
As për debatin mbi aktin normativ, as për bojkotin e opozitës, madje as për “fitoren” lidhur me statusin kandidat për Shqipërinë. Sepse në këto çaste po vdes një fëmijë, po lebetitet një familje, po marroset nga ankthi dhe dhimbja një prind. Një vajzë po lufton me vdekjen këtë buzëdimër që duhet të qe për të pranvera e jetës. Sepse është vetëm 9 vjeçe. Emrin e ka Valentina Hoxha. E pashë për herë të parë sot në mëngjes, në një kronikë të Neës 24, tek qëndronte në shërbimin e pediatrisë të spitalit “Nënë Tereza”. Një akuzë ende e gjallë për të gjithë NE. E shtrirë, e heshtur, e zbehtë ka rreth një javë që pret më kot që NE, shqiptarët, shteti i saj, t’i shfaqim dashuri, mbështetje, humanizëm në luftën e saj me vdekjen. Pret te “Nënë Tereza” që t’i bëhet krah humanizmi shpëtimtar dhe virtytet morale të Nënës Terezë. Sepse vuan nga një sëmundje e trashëguar që i dëmton për ditë e më shumë mëlçinë. Që të mposhtë vdekjen, duhet të bëjë një transplant organi jashtë shtetit por që kushton shumë. Në Turqi duhen rreth 70 mijë euro. Në Francë apo Itali, edhe më shumë. Dhe familja e saj nuk i ka këto para. Ekonomia e tregut, me llogaritë e saj të ftohta, rrezikon ta vrasë. Do ta lëmë? Mos vallë NE, Shqipëria, shoqëria, shteti nuk i ka këto para! Apo jeta e Valentinës nuk ia vlen 70 mijë euro përballë të tjera halleve, lukseve apo përparësive? Vallë do të jetojmë me turpin e pakufi që “Nëna Shqipëri” nuk mundi (në fakt nuk deshi) të gjejë dot disa dhjetëra mijë euro për të shpëtuar një fëmijë, një engjëll të saj?
***
Mjekët paskan thënë se edhe një, e shumta dy javë kohë mbeten. Kështu thotë babai i vajzës. Dhe shton se kanë kontaktuar edhe me ministrin e Shëndetësisë, i cili është shprehur dakord që Valentina të shkojë për kurim por ka sqaruar i pafuqishëm edhe se nuk ka fonde. Mund të jetë edhe kështu. Por ndërkaq nuk mund të mos kujtoj se para pak muajsh ky shtet financoi me disa dhjetëra mijë euro për rikonstruksionin e vilës së Presidentit Republikës. Ndërsa fëmija na sfidon me heshtjen e saj fisnike, që nuk lyp mëshirë, por vetëm të drejtën për jetën, kujtoj se mjaft biznesmenë u treguan solidarë me rikonstruksionin e godinës së Kryeministrisë. Nuk do të jepnin ata disa mijëra për Valentinën? Dhe jam i bindur se kryeministri Edi Rama, po ta dinte dhe po të qe e nevojshme, do pezullonte rikonstruksionin e zyrës së tij dhe me ato para ndihme a solidariteti, do të shpëtonte jetën e Valentinës. Ndoshta mund të vinte në punë edhe kontributin e tij familjar për xhaminë e re. Besoj se edhe Komuniteti Mysliman do ishte dakord. Sepse nuk ka vepër më të madhe para Zotit se sa shpëtimi i një jete. Dhe përveç kësaj a nuk është mbrojtja e çdo jete, detyra e parë, më sublimja, e një shteti? Qeveria po merr nga Banka Botërore qindra milionë borxh për t’ju kthyer bizneseve borxhet. Ç’do t’i ndodhte stabilitetit makroekonomik nëse së paku 70 mijë euro devijoheshin për të shpëtuar jetën e Valentinës. Asgjë. Por nëse ajo jetë fëmije nuk shpëtohet, shteti do të humbasë edhe më stabilitetin dhe ekuilibrin moral. Përmenduni!
***
Do të duhej forca e vargut migjenian që këto rreshta të ishin një grusht i fuqishëm që i bie në zemër malit që z’bzan (dhe mali jemi NE), të zgjonte në skutat e krenarive dhe egotizmit të verbuar, gjenin e dhimbjes, të empatisë që fle në gërhima të nginjura qejfesh. Eci rrugëve të Tiranës me imazhin e pashqitshëm dhe thuajse të mermertë të fëmijës në agoni fisnike. Tani është zverdhur e tëra – thuajse klithte babai i saj. Trafikut të rrëmujshëm të këtij vendi të varfër vërshon, megjithatë,… pasuria! Mbi 100 milionë euro thuhet se i janë marrë në një vit shtetit nga evazorët e kazinove të shumta që mbushin qytetet. Mbi 100 milionë në xhepa të panginjshëm ndërsa shteti nuk ka as 70 mijë euro për të shpëtuar Valentinën! Pranë rrëshqasin Benz-a apo X-6-ta që shndrisin me krenari milionare. Rrëzëllimi i llakut të tyre është si ai i vdekjes që tall jetën.
***
Nëse Valentina nuk shpëtohet për 70 mijë apo diç më shumë euro nuk ka Zot që na e fal ne, si shqiptarë dhe si njerëz, mëkatin e indiferencës. Nuk di a do të ketë mjek që të na shërojë nga virusi i dehumanizmit. Duhet të përmendemi, të zgjohemi, të dalim nga kullat e kështjellat e egotizmit për të kuptuar se edhe pak kohë ka mbetur për të shpëtuar Valentinën. Në fakt, për të shpëtuar veten tonë nga një njollë e turpshme. Shansi për të mos u bërë bashkëpunëtorët e vdekjes në ndarjen e saj të punës, në të keqen e saj banale, po na rrëshqet si rëra mes gishtave. Duke shpëtuar Valentinën, do shpëtojmë veten, Shqipërinë. Sepse ajo vajzë që po lëngon është Shqipëria, është Atdheu. Kush do ta shpëtojë? Francezi, turku, italiani?! Jo, NE, shqiptarët! Nëse nuk e bëjmë do tregojmë se vuajmë nga një sëmundje e rëndë. Sepse ç’është kombi pa virtytin e solidaritetit me jetën? Ç’është kombi në mos një si familje e madhe, një grumbullim njerëzish që e quajnë veten të një gjaku, të një fisi? Dhe a ka kuptim familja pa dashurinë mes anëtarëve të saj? Ç’kuptim ka atdhetaria, krefosja patriotike, kur nuk shprehet në shpëtimin e jetës së një prej bijave të kombit që nesër, kushedi, mund të jetë një nga krenaritë e tij? A nuk është patriotizmi një hipokrizi, gënjeshtër, mashtrim nëse nuk ka mes nesh empati, dhimbje për dhimbjen e tjetrit? E ndërsa “mali” ende bëzan, megjithatë është instinkti prindëror i shpresës që orientohet andej nga mund të vijë shpëtimi, nga shteti, nga kombi. Është babai i Valentinës që mes gulçeve të burrit, ndërsa gëlltit lotët që s’i mban dot, na lutet NE, vëllezërve dhe motrave, të shpëtojmë atë jetë fëmije pa të cilën, jeta e tij nuk do kishte më asnjë kuptim. Një klithmë e shenjtë prindërore drejtuar nënave dhe baballarëve bashkëkombës. A kemi zemër ta dëgjojmë?
Top Channel