Zona e Shishtufinës në Tiranë është populluar edhe nga 37 familjet rome, të cilat janë zhvendosur atje prej mbrëmjes së të mërkurës.
Tre ministrat, ai i Shëndetësisë Ilir Beqja, ai i Mirëqenies Sociale e Rinisë Erion Veliaj, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla, si dhe Avokati i Popullit, Igli Totozani, kanë vizituar këto familje, teksa u shprehën se veç strehimit, të cilin e cilësuan provizor, garantuan shërbime të veçanta për këtë komunitet, në drejtim të shëndetit dhe shkollimit të fëmijëve.
“Kjo është një qendër emergjence. Dua gjithashtu t’i sqaroj për ato pikëpyetje që patën. Arsyeja pse transferimi u bë në mes të natës, është se nuk donim që kjo të bëhej një cirk në mes të qytetit, në një trafik jashtëzakonisht të dendur, ndaj dhe përdorëm diskrecionin e orëve të natës për të bërë këtë transferim. Asgjë nuk shkon perfekte, por kjo ishte një nga ato gjërat që shkoi thuajse perfekt”, u shpreh Veliaj.
“Ne do të fillojmë menjëherë, që nga dita e nesërme, me çeljen e kartelave shëndetësore, me librezën e shëndetit, të lidhura me qendrën shëndetësore që mbulon këtë zonë, siç bëjmë edhe për banorët e tjerë që banojnë këtu prej kohësh. Do të fillojmë menjëherë me analizat biokimike të urinës dhe feçes, sepse duam të ndërtojmë edhe për këta që janë këtu historinë e shëndetit. Në një grupim prej 300 apo më shumë vetash gjithmonë ekziston mundësia e përhapjes së sëmundjeve apo epidemive të ndryshme”, deklaroi Beqja.
“Me një paketë speciale ndihme, edhe këtu në këtë qendër, por padyshim edhe për të gjetur edhe gjithë mjedisin e nevojshëm miqësor dhe arsimor në shkollën “Pal Ëngjëlli” dhe në shkollat e tjera sa më pranë këtij komuniteti”, tha Nikolla.
Qendra për strehimin e romëve është inspektuar edhe nga raportuesi i Parlamentit Europian për Çështjet Sociale, Nikola Vuljanic, i cili e cilësoi një zgjidhje provizore.
Top Channel