
Këshilli Kombëtar i Territorit ka marrë disa prej vendimeve më të rëndësishme, që prej mbledhjes së tij nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.
Burime zyrtare konfirmojnë për “Top Channel”, se KKT vendosi të anulojë çdo plan dhe leje ndërtimi në qendrën e Tiranës, të rikthejë mbrojtjen ligjore për Ansamblin e qendrës së kryeqytetit, si dhe të marrë në mbrojtje ligjore çdo godinë në zonën e ish-bllokut dhe pas ish-Piramidës, duke ndaluar dhënien e lejeve të ndërtimit për këto dy zona.
Këshilli Kombëtar i Territorit mori edhe disa vendime të tjera, që i shtrijnë efektet në të gjithë vendin dhe që synojnë vendosjen e kontrollit mbi të gjithë territorin. Ministrja Eglantina Gjermeni vlerësoi si më të rëndësishmin, miratimin e nismës për hartimin e planit të përgjithshëm kombëtar të territorit.
“Me marrjen e kësaj nisme dhe me hartimin e këtij plani synohet realisht që, në radhë të parë, t’i jepet fund informalitetit dhe kaosit të zhvillimit informal dhe urban në Shqipëri. Të fillojë një epokë e re e planifikimit, e kontrollit të territorit, e një zhvillimi ekonomik dhe social, i cili do t’u shërbejë qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Gjermeni.
Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi edhe nisjen e procedurave për hartimin e planit të integruar të përgjithshëm në zonën ekonomike Tiranë-Durrës.
“Edhe kjo zonë është prekur gjithashtu nga informaliteti, nga kaosi demografik dhe urban. Duam vërtet që, përmes këtij plani, kjo zonë të jetë një model suksesi për zhvillimin ekonomik dhe social në Shqipëri”, shtoi më tej Gjermeni.
Vendimi tjetër ka të bëjë me ndërhyrjen mbrojtëse dhe rehabilituese në zonën e kurorës së Tiranës.
“Duke dashur t’i vëmë një barrikadë, t’i ndalojmë ndërtimet informale, sidomos në zona që janë kaq të rëndësishme, jo vetëm për sot, por edhe për brezat që vijnë”, shpjegoi ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit.
KKT ka vendosur të ndërhyhet me urgjencë edhe për mbrojtjen dhe rehabilitimin e zonave të rëndësishme mjedisore, ku bëjnë pjesë parqet kombëtare, të cilat janë dëmtuar, pavarësisht se mbrohen me ligj.
“Rreth 90% e ndërtimeve, që gjenden në zonat në fjalë, janë ndërtime informale dhe, që të bësh rehabilitimin e zonave të mbrojtura, hapi i parë dhe i domosdoshëm është pikërisht kthimi i tyre në identitet”, deklaroi Lefter Koka.
Përveç mbrojtjes së pasurive natyrore kombëtare, KKT ka vendosur marrjen e masave emergjente edhe për mbrojtjen e objekteve dhe qendrave të Trashëgimisë Kulturore.
“Identifikimi i atyre objekteve, që kërkojnë ndërhyrje emergjente, dhe pezullimin e dhënies së lejeve zhvillimore deri në planin e përgjithshëm definitiv të territorit. Këto masa do të na lejojnë që të vëmë nën kontroll dhe nën monitorim, si dhe për të shpëtuar nga rreziku, ato objekte që janë në rrezik sot e për të mbrojtur në vazhdim të gjitha zonat e tjera”, tha Mirela Kumbaro.
Top Channel