Koncesioni që kthen uzinën në hekurishte

18/10/2013 00:00

Uzina e bakrit në Rubik po përfundon për skrap. Të gjitha pajisjet
mekanike të kësaj uzine po çmontohen dhe po shiten në disa pika
grumbullimi të metaleve.

‘Fiks Fare’ ka zbuluar dokumentin që tregon se uzina e bakrit në Rubik është dhënë me koncesion për t’u kthyer në një uzinë ferrokromi, ndërkohë që në zonën e Mirditës nuk ka miniera kromi.

Ish-zëvendësministri i Ekonomisë, Neritan Alibali, ka firmosur marrëveshjen koncesionare për uzinën e Rubikut për të kthyer furrat e bakrit në furra për shkrirjen e ferrokromit.

Sipas presidentit të Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, z. Kolë Nikolli, qëllimi i dhënies së kësaj uzine me koncesion është që uzinën e bakrit ta shkatërrojnë e materialet që ajo ka të shkojnë për skrap. Sipas Nikollit, Ministria e Ekonomisë, duke abuzuar me hapësirën që i lejon ligji “Mbi koncesionet” dhe ai “Minerar” dhe duke mos pasur parasysh asnjë kriter funksional ka dhënë këtë uzinë me koncesion. Nëpërmjet kontratës koncesionare, këtë uzinë ia jep me koncesion shoqërisë AMG GROUP ALBANIA sh.p.k. të regjistruar në QKR me një milion lekë të vjetra kapital.

Sipas Nikollit, kjo kontratë nënshkruhet mbështetur në një autorizim të ministrit me nr. 10529, datë 07.12.2012, por pa vendim të qeverisë apo të Parlamentit, të cilët kanë të drejtë të autorizojnë nënshkrimin e kontratave të tilla. Sipas tij, kontrata nuk përcakton kritere specifike punimesh, sidomos në rastin që ajo flet për një ndryshim teknologjik nga një uzinë bakri në një uzinë kromi. Realisht duhet të shkatërrohet uzina e bakrit dhe të ndërtohet uzina e re e kromit, sepse janë teknologji krejtësisht të ndryshme. Kontrata ka afate zbatimi të investimeve fiktive dhe kontradiktore mes tyre, si dhe vlerat e investimit janë krejtësisht fiktive pa analizë ekonomike, logjike apo teknike.

Fiks Fare ka mundur të dokumentojë një fakt që shkelet kontrata koncesionare, pasi ka mundur të arrijë të kapë edhe mjetet e firmës që ka marrë këtë uzinë në koncesion, duke nxjerrë nga uzina tonelata bakri dhe dërguar në një fabrikë shkrirjeje në Shkozet të Durrësit.

Në bazë të marrëveshjes dhe të ligjit për koncesionin nuk lejohet një gjë e tillë. Fakt të cilin e ka pranuar edhe roja i fabrikës, i cili tregon se nga kishte ardhur ngarkesa. Ndërsa gjatë bisedës së gazetarëve me rojat e uzinës dhe përgjegjësin e rojave, është mundur të diskutohet për blerjen e një sasie alumini, ku përgjegjësi i rojave u ka premtuar gazetarëve se për katër ditë ua gjente. Fakt ky që tregon se edhe rojat janë përfshirë në shkatërrimin e pasurisë kombëtare të kësaj uzine. Ndërsa kryebashkiaku i Rubikut, Gjok Vuka, është shprehur se firma që ka marrë me koncesion uzinën nuk ka paraqitur në asnjë moment dokumente dhe as marrëveshjen që ka bërë me qeverinë shqiptare, edhe pse bashkia i ka kërkuar ato sipas ligjit. Në Uzinën e bakrit në Rubik kanë qenë të punësuar mbi 600 punëtorë para viteve ’90, ndërsa tani numri i tyre nuk i kalon 30.

Top Channel