Të gjithë bashkë për të ndihmuar një mik

17/10/2013 00:00

Mejdan Zhivani është 37 vjeç dhe punon si gazetar sportiv tek gazeta “Sporti Shqiptar”. Ka 15 vjet që punon në këtë profesion duke mbuluar ekipet vendase.

Në fund të vitit 1999 nis të punojë si korrespondent në Shkodër për media të ndyshme. Më pas, vjen në Tiranë së bashku me familjen. Aktualisht ai është babai i një vajze dy vjeçe dhe i një djali 2 muajsh. Më datë 15 prill të këtij viti, Mejdani pëson një gjakederdhje të madhe ku si pasojë humb 45% të gjakut.

Pas diagnostikimit, mjekët i thanë se kishte tumor në zorrën e trashë. Më datë 25 prill, ai bën operacionin e parë. Duke qenë se çdo gjë ishte shumë e kushtueshme dhe Mejdani nuk kishte asnjë mundësi të kurohej, kolegët gazetarë, futbollistët, drejtuesit e klubeve apo edhe njerëz të thjeshtë, ndihmuan me para’ kurimin.

Mejdani ka bërë një listë të çdo personi që i ka dhuruar para’ apo e ka telefonuar. Lista përmban dhe numrat e kontaktit që Mejdani i ka telefonuar një nga një pasi doli nga gjendja e rëndë. Mjekët gjykuan se duhej bërë një tjetër i dytë, pasi gjendja ishte ende e rëndë. Në muajin nëntor do të kryejë edhe operacionin e fundit.

Mejdani ja di për nder të gjithë kolegëve, miqve apo njerëzve që kanë ndihmuar që ai të kalonte këtë situatë të rëndë. Nëse nuk do të ishin miqtë e tij, jeta e Mejdanit do të ishte në rrezik pasi ai nuk e ka shumën e parave për të përballuar operacione kaq të shtrenjta.

“Jam përpjekur të shënoj çdo detaj, çdo mesazh apo telefonatë mbështetjeje. Doja t’i tregoja mirënjohjen time të gjithë atyre që më kanë ndihmuar në çdo lloj mënyre. I kam kontaktuar të gjithë me anë të telefonit apo rrjeteve sociale. Më kanë ndihmuar edhe shumë persona nga të cilët nuk e prisja dhe kjo tregon bujarinë e shqiptarëve”, thotë Mejdani në studion e ‘Pasdite në Top Channel’.

Ndërsa bashkëshortja e tij thekson: “Mbështetja e miqve bën të ecësh përpara. Ka pasur momente demoralizimi, por qëndrimi pranë i familjarëve dhe miqve bën që ta kapërcesh vështirësinë.”

Top Channel