Mustafaj: PD të shmangë bojkotin

17/10/2013 00:00

Opozita ndodhet jashtë parlamentit dhe tashmë ka paralajmëruar përshkallëzimin e qëndrimit. Por cila është strategjia e opozitës?

I ftuar në studion e edicionit qendror të lajmeve në Top Channel ishte Besnik Mustafaj, një ish-drejtues i lartë i Partisë Demokratike, sidomos gjatë kohës që ajo ka qenë në opozitë.

Ilir Paço: Fillimisht, si ish-minister i Jashtëm, një vlerësim për propozimin pozitiv të Komisionit Europian për dhënien e statusit Shqipërisë si vend kandidat?

Besnik Mustafaj: Unë uroj Shqipërinë, veten, klasën politike. Por uroj vecanërisht uroj Partinë Demokratike, qeverisjen e saj sepse ky hap përpara në rrugën e integrimit europian, është arritur nga qeverisja e PD dhe është një inkurajim për gjithë klasën politike shqiptare.

Ilir Paço: A shihni një strategji të opozitës shqiptare pas një muaji me një qeverisje të majtë?

Besnik Mustafaj: Nuk shoh një opozitë me strategji. Shohim një opozitë reaktive që nuk përkon me faktin që PD është e vjetër në skenën politike shqiptare, e sprovuar në opozitë dhe qeverisje dhe është e pafalshme që nuk ka një strategji në opozitën e saj, që nuk i shkon profilit dhe potencialit të saj. Sot PD është me kokë, por pa trup. Një pjesë e madhe e demokratëve janë të mërzitur me udhëheqjen e PD, një pjesë janë në punë dhe janë të trembur.

Ilir Paço: A shihni dualitet në drejtimin e Partisë Demokratike midis Berishës dhe Bashës?

Besnik Mustafaj: Mendoj që ka dicka më shumë se dualitet. Ka një lënie në hije të Bashës nga ana e Berishës, që është në dëm të Bashës. Kjo bëhet për arsye pragmatiste nga ana e Berishës, që mendoj unë bëhet sepse lënia dorë të lirë ndaj kreut të ri të PD do të thotë një analizë për humbjen. Berisha po pengon rivitalizimin e PD dhe ringjalljen e saj.

Ilir Paço: Si shihni debatin politik për cështjen e aktit normativ dhe a është kjo një betejë që duhet zhvilluar?

Besnik Mustafaj: Sigurisht. Me këtë akt ka ndodhur një gjë e rëndë që është prishur një konsensus i arritur me shumë mundim. Prishja e tij është një dëm që i bëhet klimës politike. Mazhoranca e mori parasysh prishjen e klimës, PD duhet ta zhvillonte ndryshe mbrojtjen e këtij ligji, në parlament që shqiptarët të merrnin vesh argumentat. Ne s’i njohim argumentat e PD për këtë qëllim.

Top Channel