Në Peqin u bllokuan 232 mijë litra hidrokarbure të padeklaruara në organet doganore dhe tatimore.
Ministria e Brendshme njoftoi se Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan zhvilloi operacionin e koduar “RAFINERIA”, ku u bë i mundur bllokimi i një autoboti me një sasi prej rreth 32 mijë litra solar.
Ky mjet u kap nga shërbimet e policisë në fshatin Çopanaj të Peqinit. Në të njëjtin vend, policia arriti të zbulonte dhe më pas të sekuestronte 5 depozita me rreth 200,000 litra hidrokarbure.
Këto depozita, të ndërtuara në mënyrë të fshehtë, nga hetimet e kryera rezultuan të ishin në pronësi të shtetasit Drini Ceka, me banim në Peqin, i cili është shpallur në kërkim.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se sasia e hidrokarburit të gjetur nuk është deklaruar në organet doganore dhe tatimore.
Sipas njoftimit, po vazhdon hetimi i çështjes në bashkëpunim edhe me strukturat e Drejtorisë së Tatimeve dhe Drejtorisë së Doganave, të cilat kryen edhe veprimet proceduriale për bllokimin e depozitave.
Mësohet se Ceka furnizohej me solar në qytetin e Fierit dhe më pas e
shiste atë pa e kaluar në doganë në Elbasan, Peqin dhe Kavajë.
Top Channel