Berisha: Bojkoti i PD, jo si i Ramës

17/10/2013 00:00

Ish-kryeministri Sali Berisha priti që Komisioni Europian të rekomandoje për herë të dytë marrjen nga Shqiperia të statusit të vendit kandidat që të rivendose kontaktin e pandërprerë me mediat.

Duke garantuar se Partia Demokratike në opozitë do të bëjë gjithçka që Shqipëria të marrë statusin në dhjetor dhe më pas të hapë negociatat, ish-kryeministri e konsideroi progres-raportin e Brukselit një fotografim realist dhe pozitiv të Shqipërisë, që përgënjeshtron, sipas tij, atë që kryeministri Edi Rama e cilëson si Shqipëria e rrënuar.

“Jo vetëm që nuk fillohet nga një gropë, siç pretendon mr. Gropa, por përkundrazi, ka një bazament të fortë, i cili duhet të përmirësohet dhe përsoset”, deklaroi Berisha.

Zoti Berisha e bëri bashkëbisedimin me gazetarët, ndërsa mazhoranca po votonte në Parlament aktin normativ që shtyn me 6 muaj hyrjen në fuqi të ligjit për nëpunësin civil dhe që, sipas opozitës, përveçse antikushtetues lë pa mbrojtje adminsitraten e reformave historike dhe progresit europian te vendit.

“Është shumë e  dhimbshme që kjo ditë, e cila në vend që të ishte një dite shpërblimi dhe mirënjohje ndaj administratës, votohet ligji i gijotinës së saj në Parlament”, komentoi ish-kryeministri.

Për shkak të ketij akti, që sipas tij cënon standardet, ai përligji qëndrimin e opozitës, e cila është jashtë Parlamentit.

Por, mesa duket, do të jetë vetëm përkohesisht. “Ky nuk është një bojkot i tipit të Edi Ramës sepse Edi Rama, në vitin 2009 tha se nuk njihte Parlamentin. Ne nuk kemi këtë qëndrim, njohim legjitimitetin, por nuk mund të pranojmë këto standarte që po vendosen sepse këto të largojnë nga Bashkimi Europian, nga rruga e integrimit”, tha Berisha.

Ka edhe një akt tjetër normativ të qeverisë, që ish-kryeministri Berisha e cilëson si shumë të rrezikshëm, prej të cilit preken direkt shqiptarët. Ky është akti normativ që rishikon buxhetin e ketij viti dhe që sipas ish-kryeministrit çon Shqipërinë drejt krizës ekonomike.  

“Akti i tretë madhor që bëri me dekretin e krizës, sepse ky është dekreti i zhytjes së vendit në krizë. Pra, akti i tretë ka shkurtuar me 100 mln dollarë investimet publike. E dhimbshme, sepse luhet me vendet e punës, luhet me të ardhurat. Çfarë bën ky? Ky, për të luftuar krizën me shpejtësine më të madhe katërfishon huamarrjen deri në fund të vitit dhe katërfishon uljen e pritshmërisë së të ardhurave, jo dy miliardë në muaj, por tani në tetë miliardë në muaj nuk do të mblidhen. E shihni këtë beteje për arkat, që unë e kam quajtur gjithmonë industri krimi, por janë futur 5500 makina elektronike. Lojë e tmerrshme po behët në ekonomi. Po instalohet me shpejtësi një sistem korrupsioni”, tha Berisha.

Ish-kryeministri Berisha i rezervoi vetes te drejtën për të folur më vonë me detaje për këto dhe disa vendime të tjera të qeverise dhe premtoi se do ta bëjë këtë pavaresisht zërit zyrtar të Partise Demokratike.

“Unë nuk jam këtu sot për t’u marrë me qeverinë, por së shpejti do të jem. Se ju garantoj një gjë. Unë kam dhënë dorëheqjen si kryetar partie, por nuk kam dhene kurre doreheqjen si Sali Berishë. Atje (në drejtimin e partisë) lashë kryetarin, Berishën e marr me vete une. Të harroje kush se mund të ndodhe ndryshe. Përkundrazi, tani unë merrem me politikë më shumë se çdo herë tjetër”, përfundoi lideri historik i së djathtës.

Top Channel