Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik miratoi nisjen e
procedurës për plotësimin e vendeve vakante të Këshillit Drejtues të
Televizionit Publik Kombëtar.

Nënkryetari i këtij Komisioni, Alfred Peza shpjegoi hapat e këtij procesi.

“Do të jenë 40 kandidatura brenda një muaji për 10 vendet e anëtarit të Këshillit Drejtues të RTSH-së dhe më pas do të jetë ky Komision që do të seleksioniojë anëtarët. Në fazën e dytë është zgjedhja e kryetarit të Këshillit Drejtues, që do të zgjidhet nga 10 anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues dhe hapi i tretë është zgjedhja e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të RTSH-së”, tha Peza.

Deputeti Peza shpjegoi se zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Televizionit Publik do të shoqërohet edhe konsultime, të cilat do të shërbejnë për reformën në këtë institucion.

“Ne do të zhvillojmë një sërë aktivitetesh, përfshi një tryezë të zgjeruar për të diskutuar, jo vetëm pjesën proceduriale, ligjore dhe teknike të procesit, por mbi të gjitha do të ftojmë të gjithë aktorët dhe faktorët e interesuar për të diskutuar në lidhje me strategjinë dhe platformën për reformimin e RTSH-së”, tha Peza.

Nisja e kësaj procedure mori vetëm votat e anëtarëve të maxhorancës në këtë Komision, pasi munguan përfaqësuesit e opozitës.

Top Channel