PD: Mbrojtje qytetarëve dhe shtetit ligjor

16/10/2013 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thirri për herë të parë konventën e të zgjedhurve vendorë të opozitës, duke nisur përgatitjet për një veprimtari të unifikuar mes tyre, në mbrojtje të qytetarëve dhe shtetit ligjor nga ajo që e quajti arbitraritet të pushtetit qendror dhe shtetit të fantazive të kryeministrit Edi Rama.

Zoti Basha, i cili drejton edhe Shoqatën e kryetarëve të bashkive të Shqipërisë, u tregua i gatshëm për bashkëpunim mes të zgjedhurve lokalë të opozitës dhe qeverisë së kryeministrit Rama, por duket se Partia Demokratike është mosbesuese.

“Asnjë kompleks, asnjë tërheqje nga angazhimet tona para zgjedhësve për faktin se ka ndryshuar qeverisja qëndrore. Por, shenjat janë, se sfidat për të cilat po flasim do të jenë jo sfida, por sfidime nga ana e qeverisë. Do të jenë të mëdha dhe të lloj-llojshme. Ne duhet të përgatitemi për tu përballuar me situata nga më të vështirat, duke filluar me ato financiare e duke vazhduar me ato të paligjmërisë dhe arbitraritetet të pushtetit qëndror. Qeverisja ka nisur si një fushatë kundër konsensusit, kundër ligjeve dhe kundër Kushtetutës së vendit”, deklaroi Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike kërkoi nga të zgjedhurit lokalë të opozitës të qëndrojnë fort përkrah interesave të qytetarëve, veçanërisht tani, që sipas zotit Basha, një vendim i kryeministrit Edi Rama i jep Inspektoriatit të Ndërimit kompetenca edhe për prishjen e ndërtimeve me leje. Një vendim, që opozita do ta ankimojë brenda pak ditësh në Gjykatën Kushtetuese.

“Askush të mos vetëgënjehet s’e ka marrë mandat për të zhbërë shtetin ligjor duke dashur t’i mbivendosë shtetin e fantazive të tij. Ky është  leximi më i gabuar dhe i rrezikshëm i votës së popullit, me pasoja të paparashikuara, negative, me pasoja të paimagjinueshme. Nga kjo Konventë, ne sot lëshojmë apelin: të jemi në këmbë për liritë dhe ligjin. Të mos lejojmë për asnjë arsye cënimin e tyre. Të përgatitemi të mbrojmë së bashku me çdo mjet demokratik Kushtetutën e vendit, korpusin ligjor, pasuritë dhe pronat e ligjshme që njerëzit i kanë siguruar me mund dhe me djersë dhe që janë pasuri  e vendit, pasuri kombëtare”, nënvizoi Basha.

Një çështje tjetër që pritet të sjellë debat është reforma administrativo-territoriale, një nga pikat e rëndësishme të programit të qeverisë së majtë. Megjithëse ende nuk ka një projekt konkret për këtë reformë, kryetari i Partisë Demokratike i kërkoi qeverisë që ta debatojë këtë reformë në mënyrë gjithëpërfshirëse, duke marrë parasysh edhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur ata vetë drejtpërsëdrejti për territorin e njësisë përkatëse vendore.

Top Channel