
Është mjeshtëria më e përsosur e çdo lloj artizanati. Ljutaria, arti që përmes gdhendjes u jep formë instrumenteve me harqe, të cilat jetësojnë tingujt.
Një mjeshtëri unike, tejet e vështirë që kërkon një aftësi perfekte në punimin e drurit. E përpos së gjithash, njohuri shumë të mira të fizikës akustike. Një mjeshtër ljutar duhet të ketë të gjitha këto aftësi, të cilat i japin jetë një krijese të ndërtuar me përsosmërinë më të madhe. Ajo mund të jetë një violinë, violë apo çelë.
Dhe familja e violinave në formën e saj më moderne është shfaqur në veriun e Italisë, në Bresha dhe Kremona rreth vitit 1550. Ishte Andrea Amati nga Kremona, i cili çeli rrugën e një gjenerate të tërë mjeshtrash të suksesshëm të artit të gdhendjes së instrumentave me harqe. Ai ishte i pari që krijoi një madhësi standarte të çelos, violës dhe violinës në formën e tyre të moderuar.
Instrumentat e tij kishin një linjë shumë elegante dhe ishin më shkëlqyese sesa të gjithë ekzemplarët e mëparshëm.
Që prej vitit 1600, Kremona u kthye në qendrën europiane të prodhimit të violinave. Në atë kohë vendi shënoi edhe historinë me emrat më të shquar të ljutarisë si Nicolò Amati dhe Antonio Stradivari. Ky i fundit arriti kulmin e përsosmërisë së një instrumenti muzikor. Violinat e Stradivarit u shquan veçanërisht për pamjen e jashtme, elegancën dhe dizenjon, e mbi të gjitha për përsosmërinë akustike. Ato konsiderohen edhe sot si më të mirat e të gjitha kategorive.
Në karrierën e jashtëzakonshme 70-vjeçare si ljutar, Antonio Stradivari ka trashëguar rreth 650 instrumente të cilat konsiderohen një testament i paçmuar që ai i ka lënë artit.
Top Channel