Durrës, aksident nga moti i keq

16/10/2013 00:00

Një 32-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur, gjatë një aksidenti automobilistik, që ndodhi pasditen e së mërkurës, në hyrje të autostradës, në Durrës.

Automjeti tip “Mercedes Benz”, me targa SG 23434, i drejtuar nga Stiljan Mullaj, 32 vjeç nga Durrësi, është përplasur me një kamion, me targa TR 4057 G, që drejtohej nga Hamit Luku, 60 vjeç nga kryeqyteti.

Përplasja ndodhi si pasojë e motit të keq me erë dhe shi, që përfshiu qytetin bregdetar pasditen e së mërkurës, dhe si rezultat gjeti vdekjen drejtuesi 32-vjeçar i automjetit, ndërsa u plagos rëndë pasagjeri, shtetasi Krenar Nanushi, 36 vjeç, me banim në Durrës.

Policia, që ka mbërritur në vendin e ngjarjes, po punon për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësisë ligjore, ndërsa pohohet se moti i keq ka favorizuar aksidentin me pasojë vdekjen.

Një ditë më parë u përplasën dhe dëmtuan rëndë nga një automjet nënë e bijë, që po ecnin në bulevardin e qytetit.

Top Channel