Basha, vendorëve të djathtë: Na presin ditë të vështira

16/10/2013 00:00

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka mbledhur të mërkurën Konventën Kombëtare të të zgjedhurve vendore demokratë.

Gjatë fjalës së tij përpara vendorëve të PD, Basha i paralajmëroi ata se me ndryshimin e qeverisë, e cila tashmë drejtohet nga të majtët, duhet të përgatiten për vështirësi financiare.

Sipas Bashës, arbitrariteti i pushtetit qendror të qeverisë Rama do të reflektohet pa dyshim në projektet dhe fondet që do të marrë pushteti vendor.

“Ka ndodhur rrotacioni. Në pushtet kanë ardhur të majtët. Ky është një fakt që ne e kemi njohur duke e pranuar si dhunti europiane. Pavarësisht nga rezultati, duhet të jemi krenarë me arritjet e qeverisë së kryeministrit Berisha, që zhvilluan zgjedhjet më të mira dhe hapën përfundimisht statusin e vendit kandidat, dhe tani kjo qeveri s’ka ç’të bëjë tjetër veç të shkojë në Bruksel dhe ta marrë në emër të shqiptarëve. Programi i qeverisë vendore është konfuz dhe në hava. Duhet të presim draftimin e ri të buxhetit të shtetit për të kuptuar se çfarë ka mbetur nga vizioni dhe standardi i PD-së për të mbështetur me fonde projektet e pushtetit vendor. Duhet të përgatitemi për t’u përballur me situata më të vështira, duke u nisur nga financimet e paligjshme të arbitraritetit qendror”, tha Basha para vendorëve të djathtë.

Top Channel