
Agjencia Hapësinore Europiane bëri publike planet e saj për të zhvendosur teknologjinë e printimeve 3D tek metalet, një projekt që do të ulte koston dhe kohën për prodhimin e pjesëve të avionëve, anijeve kozmike apo pjesëve të tjera metalike që me metodën tradicionale kërkojnë muaj të tërë kohe.
Projekti ambicioz ka bërë bashkë 28 institucione të Bashkimit Europian dhe partnerë që prej vitesh kanë nisur punën për ndërtimin e materialeve metalike më të lehtë, më të fortë dhe me kosto më të lirë për ndërtimin e pjesëve, sidomos atyre motorike.
Qendrat e para të ITER-it (International Thermonuclear Experimental Reactor) janë ngritur në Francë, Gjermani dhe Itali, ku është testuar me sukses prodhimi i pjesëve të avionëve me madhësi deri në 2 metër.
“Tashmë me ITER-in, për t’i dhënë formë një kilogrami metal përdoret vetëm një kilogram metal, dhe jo 20 kilogram”, deklaroi Franco Ongaro nga Agjencia Europiane e Hapësirës.
I gjithë ky projekt ka marrë frymëzim nga zbatimi me sukses i printimeve 3D në dezajnimin e produkteve plastike. Sipas ideatorëve të ESA (European Space Agency) zbatimi i një teknologjie të tillë, jo vetëm që do të shkurtonte drastikisht kohën e ndërtimit të pjesëve metalike komplekse duke ulur edhe koston e prodhimit të tyre, por edhe do t’i jepte një hov të ri nxjerrjes së produkteve me forma intriguese.
Ne foto pjese te avioneve Airbus. E para e prodhuar 3D nga ITER, e dyta prodhim tradicional
Top Channel