Aventura e këtij burri është përtej të imagjinueshmes. Në ditë me diell, shi, erë apo stuhi, ai ka lundruar përmes detrave me kajakun e tij për më shumë se katër muaj. E për më tepër, aventura e tij nuk ka përfunduar ende.

Quhet Luciano Ionesku, është 50 vjeç dhe ka 7 vjet që përgatitet për këtë udhëtim të gjatë. E ka nisur në muajin maj nga vendlindja e tij dhe pikënisja ka qenë pikërisht qyteti i Giorgiu. Ka lundruar përmes Danubit për të dalë në Detin e Zi, ka vijuar në Bullgari, Turqi, Greqi dhe para një jave ka qenë i stacionuar në Shqipëri, ku dhe përshkoi për gati 2 javë pjesën më të madhe të bregdetit tonë. Ne e takuam Lucianon në ditën e tij të fundit të qëndrimit në Shqipëri, në Shëngjin, dhe ai na tregoi se kishte kryer plot 4 mijë kilometra udhëtim përmes detit me kajakun e tij.  

“E bëj këtë sepse më pëlqen të lundroj me kajak dhe dua të frymëzoj njerëz të bëjnë të njëjtën gjë. Por, e para dhe më e rëndësishmja është se e dua këtë lloj sporti që për mua nuk është vetëm i tillë. Kajaku është shumë i mirë për të udhëtuar. Nuk më pëlqen të udhëtoj me makinë, të qëndroj në hotele. Më pëlqen natyra e egër dhe me kajak mund të marrësh shumë sende me vete, çdo gjë që të nevojitet. Mund ta shohësh çdo gjë nga një perspektivë tjetër. Cdokush mund të rrijë në breg e të shohë përtej, por nëse je në mes të detit, i sheh gjërat ndryshe prej atje. Ka shumë adrenalinë sepse ka dallgë, erë dhe ti duhet të përballesh vetëm me gjithçka”, tregon Luciano.

Dhe i vetëm Luciano ka ndërtuar edhe mjetin e tij të lundrimit. Ky kajak është vepër e duarve të tij: “Kajakun e kam bërë vetë. Është dizenjimi im dhe jam shumë krenar për të. Mbase nuk duket shumë mirë tani sepse është abuzuar pak me të: në mes të detit, mes shkëmbinjve, e kam tërhequr, e kam shtyrë…
Është një varkë e mirë, më ka shpëtuar në shumë situata. Ka një hapësirë të madhe dhe kam brenda çdo gjë që dua. Është shumë stabël si mjet dhe një varkë e shpejtë. Me të unë mund të bëj distanca të gjata në një ditë.”

Kajaku nuk është një sport shpejtësie, por diçka që mund ta bësh pa një ritëm të caktuar sepse nëse nxiton të shpejtosh, thotë 50-vjeçari, harxhon energji dhe kjo mund të rrezikojë udhëtimin. Gjithsesi, Luciano ka një ritëm të caktuar në itinerarin ditor të kësaj aventure të madhe.

“Zakonisht bëj 30-35 kilometra në ditë, por nëse është kohë e keqe, ka dallgë dhe erë, bëj 20-25 kilometra. Ndonjëherë, kur ka stuhi, bëj jo më shumë se 5-10 kilometra”, thotë Luciano.

Luciano ka përshkuar me kajak deri më tani 5 dete: Detin e Zi, Marmara, Detin Egje, Detin Jon dhe Adriatik. Në këtë lundrim ka pasur shumë sfida dhe rreziqe, por më të fortin e ka kaluar në ujërat e Jonit: “Situata më e vështirë më ka ndodhur këtu në Shqipëri, në Karaburun. Më kapi një stuhi e madhe ku dallga arrinte në 7 metra lartësi. S’mund ta imagjinoni, ishte shumë  e madhe. Ishte një erë aq e fortë sa më hodhi 2-3 herë në det. Ishte situatë e vështirë dhe isha vërtet me fat që ja dola sepse nuk kishte fare plazh aty. Kishte vetëm shkëmbinj.”

Por, aventura e këtij udhëtimi me kajak ka mbi të gjitha shumë momente të bukura për t’u shënuar. Luciano ka shkelur dhe vizituar shumë vende, ka njohur popuj dhe kultura të ndryshme, ka qenë gjithkund, kudo ku uji ka çuar kajakun e tij. Për çdo kënd, për çdo vend, ai ka mbresat e tij.

“Ju keni një plazh me rërë shumë të mirë. Unë kam shkruar edhe në faqen time të Facebook-ut për këtë. Është shumë bukur këtu dhe dua të vij sërish me familjen për të kaluar disa ditë. Cdo vend ka një gjë të bukur, por çfarë është më e rëndësishme në këtë udhëtim, kam takuar njerëz. Në Shqipëri ka njerëz shumë të mirë dhe kam bërë miq. Kur të rikthehem do të shkoj në Durrës, në Fier dhe në Shëngjin, për shkak të njerëzve që kam takuar dhe njohur”, thotë Luciano.

Prej faqes në Facebook, ku çdo ditë rifreskohet informacioni për vendin ku Luciano ndodhet, mësojmë se ai ka kaluar Malin e Zi dhe tashmë ndodhet në Kroaci, për të synuar më tej Venecian, e cila do të shënojë edhe fundin e udhëtimit të tij. Deri atëherë, 50-vjeçari thotë se do t’i duhen edhe dy muaj kohë dhe parashikon që për Krishtlindje të kthehet në familjen e tij, në Rumani.

Top Channel