
Kryeministri Edi Rama ka vizituar Komunitetin Mysliman, prej nga uroi të gjithë besimtarët festën e Kurban Bajramit.
Në këtë ditë të shënuar për besimtarët myslimanë, Kryeministri i siguroi ata për ndërtimin e xhamisë së madhe ndërsa renditi veten dhe familjen e tij, në mesin e donatorëve modestë për ndërtimin e këtij tempulli.
“Për herë të parë si Kryeministër erdha këtu dhe i urova gëzuar këtë ditë kaq të shënuar, mikut tim Selim Muca, të gjithë përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman. Folëm për xhaminë e re dhe i sigurova edhe njëherë që nga një pallat me xhami do të kemi një xhami pa pallat. Nga ana tjetër, familjarisht do të jemi edhe ne në rradhën e donatorëve modestë të këtij tempulli”, tha Rama.
Pas vizitës në Komunitetin Mysliman, kryebashkiaku dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha foli për xhaminë e Namazgjasë, duke thënë se Bashkia e Tiranës ka tejkaluar provën e saj me sukses dhe se tani i takon qeverisë së re dhe Komunitetit Mysliman ta zgjidhin këtë çështje.
“Çdo besimtari mysliman shqiptar, në Shqiperi, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës, shqiptarëve që jetojnë kudo në botë, dua t’i uroj gëzuar Kurban Bajramin. Xhamia nisi punimet, pas kësaj ka patur një vendim, i cili i ka ndaluar punimet. Tashmë çështja është midis Komunitetit Mysliman dhe Qeverisë dhe unë uroj me gjithë zemër që projekti i xhamisë të ecë përpara”, u shpreh Basha.
Besimtarë myslimanë i uroi edhe kryetari i Parlamentit, Ilir Meta.
“Dua t’i uroj të gjithë besimtarëve dhe gjithë qytetarëve tanë, më shumë solidaritet me njëri-tjetrin dhe me ata që jetojnë në kushte më të vështira, më shumë harmoni dhe më shumë gëzime, më shumë përfshirje dhe më shumë bashkim”, u shpreh Meta.
Pas Komunitetit Mysliman, politikanët i janë drejuar Kryegjyshatës Botërore për të uruar besimtarët bektashinj.
Top Channel