
Ajo nuk ndalet para asgjëje, përkundrazi e kthen dhimbjen në forcë. Lindita Daja është piktorja, poetja dhe stilistja që për çdo ditë lufton me sëmundjen: “Në momentin që mendova se ishte fundi, aty vendosa t’i jap forca vetes. Natën i lutesha Zotit, ditën pikturoja.”
Kanë kaluar vetëm disa ditë nga ekspozita e saj e fundit me piktura. Ka punuar rreth 1 vit e gjysmë për t’i realizuar të gjitha punët e ekspozuara, nga të cilat ka lënë në një anë edhe 2-3 prej tyre si pjesë e pajës së vajzës së saj.
“Mbi krevat, me një çorçaf të vjetër kam bërë gjysmën e punëve. Vajza më ndihmonte, hapte bojërat, më ndihmonte t’i fshihja pikturat nga anëtarët e tjerë të familjes”, tregon Lindita.
Thotë se sëmundja e saj, sindroma Becet, është e pashërueshme. Asgjë nuk e ndalon ta jetojë çdo ditë si ditën e fundit në këtë Botë e ndërkohë qetësisht pret vazhdimin në një Botë tjetër. I jep kurajo familjarëve dhe miqve të saj, kurse vetë gjen ngushëllim në atë që di të bëjë më mirë: “Sëmundja lufton me mua dhe unë me atë. Më lë pa bukë, pa gjumë, por nuk dua t’ia di fare. Gjej ngushëllim tek piktura dhe poezia.”
Në çastet më të vështira ka realizuar piktura abstrakte, bardhë e zi. Megjithatë, në pjesën më të madhe të rasteve ajo i jep jetë veprave të saj, ato janë plot dritë e shumëngjyrëshe. Në to sheh shpresë për të ardhmen dhe përpiqet ta shohë jetën gjithmonë në anën pozitive.
“Lutja ime është vetëm kjo, të vdes në këmbë. Do të luftoj deri në fund!”
Top Channel