16-vjeçarja me pasion hipizmin

15/10/2013 00:00

Lidhja e saj me kuajt është përtej pasionit të një të reje për të kalëruar. Ajo pohon se ndjen shpirtin dhe kupton gjuhën e tyre, ndaj dhe ndan me kuajt orë të tëra gjatë ditës.

Arjola Dedej është vetëm 16 vjeç dhe është pa më të voglin dyshim një mjeshtre kalërimi. E ka nisur këtë pasion të sajin kur ishte 11 vjeç. Pranë zonës së saj të banimit në Shkallnuar të Durrësit kishte kuaj dhe ajo gjithmonë afrohej për të luajtur me ta. Për Olën nuk kishte asnjë argëtim të moshës që të mund t’i zinte vendin kalërimit.

16-vjeçarja studion në Shkollën e “Mjeshtërisë Sportive Benardia Qeraxhia” në Durrës, një degë që i rri afër pasionit të saj për sportin e hipizmit. Megjithatë, ajo thotë që për kuajt dhe kalërimin është gati të sakrifikojë gjithçka, madje edhe shkollën. Në fakt, menjëherë pas orëve të mësimit, ajo rend në këtë pistë ku jo vetëm argëtohet, por edhe ndihmon të tjerët të kalërojnë sepse Ola tashmë ka fituar edhe një vend pune si instruktore hipizmi.  

Kuajt janë një univers i dytë për 16-vjeçaren. Ajo ka një lidhje të fortë me secilin prej tyre. Nuk është tepër të thuash që ata janë miqtë më të mirë për të sepse Ola me çdonjërin prej tyre ndan ndjesi nga bota e saj dhe u përcjell njerëzve gjuhën e tyre.

Top Channel