Zamira Cavo – Në vorbullën e kritikave, akuzave, madje dhe kallëzimeve
në prokurori, ndaj veprimeve të kryera nga Rama në postin e
kryeministrit, është gati e pamundur të mos pyesësh: A po bën dhe Rama
atë që ka bërë dikur Berisha? A po vazhdohet të shkelet ligji me arsyen
politike? Ka të tjerë që revoltën e tyre e shprehin me fjalët “Po dhe Ky
si Berisha nuk pyet për ligje?”.
Në mendimin tim, e gjithë çka po ndodh quhet një “furtunë në gotë”. Realisht, çfarë ka bërë z. Rama deri tani? Po spastron administratën publike nga njerëzit të cilët i dhanë asaj “damkën” e keqe të shpërbërjes së shtetit! Dhe këtu, Rama është në të drejtën e tij legjitime të fituar nga vota e 1 milion shqiptarëve. Nuk besoj se gjendet njeri në Shqipëri që të mohojë se votën e tij Ramës ia ka dhënë pikërisht për të ndryshuar modelin qeverisës! Dhe sikundër të gjithë e dinë, legjitimiteti vjen para ligjit. Nuk mund të bëhet shteti pa realizuar vullnetin sovran për të “shkulur” nga rrënjët farën e zhbërjes së shtetit. Të gjitha debatet mbi këtë temë janë jashtë logjikës së politologjisë. Problemi pra nuk është ky. Problemi është: Deri ku shtrihet kjo e drejtë? Sa dhe si, njerëzit që e kanë votuar z. Rama, përfitojnë nga ky ndryshim?
Së pari: Legjitimiteti, një hap ndahet nga autoritarizmi. Pra z. Rama besoj e ka shumë të qartë që nuk mund të vazhdojë dot gjatë duke vepruar jashtë ligjeve të shtetit. Në fund të fundit, modeli i tij qeverisës ka në thelbin e vet ligjin, zbatimin e ligjit dhe mbi të gjitha zbatimin e tij pa seleksionime. Procesi i pastrimit të administratës publike nga të paaftët dhe militantët aprofesionistë të qeverisjes “Berisha”, është një proces që duhet të përfundojë shumë shpejt. Ndryshe rrezikohet që të emëruarit e rinj, të zihen “ngushtë” në realizimin e detyrave të tyre. Pasi dhe pse nuk janë emëruar sipas ligjit, u duhet të veprojnë sipas ligjit. Po e thjeshtëzoj këtë: Kanë dalë disa urdhra nga titullarët e disa ministrive dhe nuk besoj se po kërkohet apo ndiqet mënyra se si po zbatohen këto urdhra. U kërkua nga Ministria e Arsimit dhe Sportit që brenda datës 1 tetor duheshin liruar të gjitha mjediset e shkollave nga aktivitetet tregtare që kryhen aty. Sot jemi në javën e tretë të tetorit dhe në shumë shkolla as që ka lëvizur gjë! Dhe bëj fjalë për Tiranën! Kush garanton zbatimin e urdhrit jashtë Tiranës? Mora vetëm një shembull, por mund ta vazhdoja këtë me spitalet, etj. Nëse një qeverisje e nis me moskërkim llogarie dhe me seleksionim në zbatimin e urdhrave të nxjerra nga vetë ajo, nuk premton aspak pozitivitet. Ajo që dua të them është pra se legjitimiteti, fakti që shqiptarët i dhanë besimin për të ndryshuar shtetin, nuk do të thotë që ky legjitimitet zgjat pafund. Ligji është ai që drejton. Aftësia, por dhe detyra e kryeministrit është të kuptojë se kur ka ardhur në limitin e së drejtës së tij.
Së dyti: Pyetja tjetër ka të bëjë me përfitimin e qytetarëve nga ushtrimi i legjitimitetit më parë se ligji. Është ende shpejt të flasim. Por disa gjëra janë të dukshme. Qeveria “Rama” do të ketë të gjithë mbështetjen e publikut të gjerë nëse vepron, qoftë dhe në anashkalim të ligjit, kur përfitimi është publik. Largimi i krerëve të policisë u ka dhënë frymëmarrje njerëzve dhe kjo ndihet kudo. Por nuk mjafton. Janë ndryshuar krerët e institucioneve të rëndësishme jetike për njerëzit, por sërish kjo nuk mjafton. Sepse cilësia e këtyre emërimeve duhet të shprehet në përfitime publike. Më thjesht akoma. Nëse në vend të x vendosim y të “barabartë” me x, nuk kemi bërë asgjë. Dhe raste të tilla duket nuk janë sporadike. Nëse një individ është përfolur për korrupsion, ka qenë pjesë e atij rrjeti që shkatërroi imazhin e vendit, apo ka qenë pjesë, qoftë periferik, e shpërdorimeve publike, nuk duhet të emërohet sipas “së drejtës së legjitimitetit”! Jo, kjo do të thotë ta shpërdorosh këtë të drejtë në thelbin e vet. Nëse ish-titullarë të qeverisjes “Berisha” rivihen në poste drejtuese, ndonjëherë dhe pa ndryshuar fare vendin, unë mendoj se njerëzit që votuan Rilindjen dhe i dhanë legjitimitetin z. Rama, jo vetëm nuk përfitojnë, por ndihen të tradhtuar.
E kam thënë dhe herë të tjera: nuk ndryshohet modeli me fasada, as me imazhe, por me veprime konkrete dhe këto veprime i bëjnë njerëzit, të cilët z. Rama i emëron si shprehës të vullnetit të popullit! Nëse individë, që deri dje janë mësuar të përfitojnë nëpërmjet mekanizimit të nëndheshëm korruptiv, e sot po nën këtë emër ndryshojnë “padronin” (partinë), emërohen në poste të rëndësishme, kjo është e pamoralshme, antiligjore dhe me pasoja të paparashikuara.
Realiteti shqiptar ka shumë probleme. Secili sektor pret ndryshimin e parë, të dukshëm, në përfitim të një modeli të ri. Nuk ka kohë për të humbur. Arsimi, shëndetësia, energjetika, rendi etj., etj., duhet të dëshmojnë se po bëjnë hapin e parë në zbatim të programit të Rilindjes. Çdo minutë e shkuar dëm është në disfavor të shqiptarëve dhe Shqipërisë! Kjo do të jetë beteja e vërtetë kundër krimit dhe korrupsionit! Por nëse ditët e muajt do ikin me emërime, debate pa bukë dhe mosndjekje të zbatimit të urdhrave, qeverisja ka më shumë shanse të na zhgënjejë shumë më shpejt! Tashmë njerëzit duan veprime reale, të drejta, ligjore dhe transparente. Pavarësisht aleancës PS-LSI, pavarësisht aktivitetit të kësaj të fundit, meritat, por dhe disfatat do t’i faturohen Ramës dhe Rilindjes së tij.
Top Channel