
Komunikim intensiv me qytetarët, nëpërmjet funksionimit të zyrës së
deputetit, duke u kthyer në promotorë të zhvillimit për komunitetin.
Kjo ishte kërkesa e adresuar nga Kryeministri Edi Rama të gjithë grupit parlamentar të PS.
“Kërkesat, ankesat, sugjerimet e njerëzve për ne janë ushqimi më i domosdoshëm dhe më i pazëvendësueshëm për mirëqeverisjen në nivel qendror dhe vendor po ashtu. Prandaj kërkoj sot nga secili prej jush që pa humbur kohë të vendosë kontaktin e pandërprerë me qytetarët përmes zyrës së deputetit. Mes Qeverisë dhe deputetëve do të vendoset një komunikim i vazhdueshëm si një domosdoshmëri për të siguruar shërbimin më të mirë ndaj vendit dhe njerëzve gjatë mandatit tonë qeverisës”, u shpreh Rama.
Kryeministri Edi Rama, gjithashtu kërkoi nga deputetët që ata të përfshihen në gjetjen e investimeve të huaja në zonat ku ata janë zgjedhur.’Kjo, – tha Kryeministri, – do t’i shërbejë shtimit të vendeve të punës”.
“Eshtë e domosdoshme që deputetët të bëhen pjesë integrale e përpjekjes për të sjellë në Shqipëri kompani dhe ndërmarrje të interesuara nga vendet fqinje dhe me gjerë akoma. Qeveria do të çelë një kapitull të ri në këtë drejtim dhe ne do të mbështesim fort çdo nismë dhe kërkesë për të investuar në Shqipëri, në funksion të punësimit. Në bashkëpunim me Qeverinë, le të nisim një orë e më parë planifikimin e vizitave të punës jashtë vendit, për të kontaktuar si deputetë me botën e biznesit në Itali, në Greqi, në Turqi, por edhe në Gjermani e Austri, Francë e gjetkë dhe për të paraqitur potencialet dhe avantazhet e këtij vendi sipas zonave të ndryshme”, u shpreh Rama.
Nuk kanë mbetur jashtë porosive të Kryeministrit Rama edhe çështjet që lidhen me bujqësinë dhe legalizimet në zonat informale, një premtim madhor gjatë fushatës elektorale të socialistëve.
“Certifikatat e pronësisë mbi tokën, sigurimi i ujit në parcelë, nxitja e kooperimit mes fermerëve janë elementë themelorë të rrugës sonë të jetësimit të programit qeverisës, që kërkojnë me patjetër komunikim intensiv. Eshtë koha të fillojmë diskutimin në komunitetet e zonave informale për procesin e legalizimit të shtëpive falas, duke synuar dhe në këtë aspekt ndërtimin e disa modeleve të suksesshme, që duhet të ngrihen mbi bashkëpunimin mes zgjedhësve, të zgjedhurve dhe Qeverisë së vendit”, theksoi Rama.
Top Channel