Kreditë e këqija mbysin biznesin

13/10/2013 19:40

Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se sektorët më përfaqësues të ekonomisë janë në vështirësi të thellë financiare dhe nuk po arrijnë të shlyejnë dot detyrimet ndaj bankave.

Sipas shifrave, në gjashtë muajt e parë të vitit ndërtimi, tregtia, industria përpunuese dhe bujqësia janë përballur me një përkeqësim të fortë në portofolin e kredive, të pashënuar ndonjëherë më parë.

Shifrat tregojnë se në ndërtim, kredia e keqe u rrit nga 32,3 për qind në fund të vitit 2012, në 53,2 për qind në qershor të këtij viti. Kjo do të thotë se, aktualisht, mbi gjysma e kredive totale, që bankat kanë dhënë për bizneset e ndërtimit, tashmë janë kredi, që nuk po shlyen rregullisht.

E njëjta tendencë është vënë re edhe në sektorin e tregtisë, ku kreditë e këqija u rritën nga 29,2 për qind në dhjetor, në mbi 46 për qind në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Ndërsa në industri, shifra ka kërcyer nga 27,7 në fund të vitit të kaluar, në 44,6 për qind në gjashtëmujorin e parë.

Sipas të dhënave, për periudhën janar-qershor të këtij viti, kredia e keqe për gjithë ekonominë u rrit edhe me 100 milionë dollarë të tjera, duke arritur në mbi 1,4 miliardë dollarë në total. Pesha dërrmuese e saj i përket biznesit, i cili ka raportin më të keq të cilësisë.

Sipas të dhënave, nëse për individët kredia me probleme është 17,2 për qind e totalit, për biznesin shifra ka kërcyer në mbi 28,4 për qind. Kreditë e këqija janë, sipas Bankës së Shqipërisë, rreziku më i madh për qëndrueshmërinë e sistemit financiar në vend, i shndërruar dy vitet e fundit në shqetësim edhe për Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

Dy institucionet e njohura të financave botërore priten që, shumë shpejt, të publikojnë një raport të hollësishëm mbi gjendjen e sistemit financiar në Shqipëri dhe rekomandimet përkatëse ndaj qeverisë për ta mbrojtur atë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA