Ilir Yzeiri – Gjithë sa shkruaje në komentin e djeshëm të gazetës Tema me titull: “Kjo kombëtare është e krimit të organizuar dhe mafies”, unë i mbështes pa asnjë presje dhe jo vetëm kaq, por dua ta shoh në një pamje tjetër dështimin e turpshëm të Kombëtares së Futbollit Shqiptar dhe thirrjet po ashtu të turpshme të “qurranëve” nga Kosova e Shqipëria, siç i quaje ti, ulëritësit folklorikë e të pështirë kundër djemve më të talentuar shqiptarë, Shaqirit, Berhamit, Xhakës, Mehmetit apo Xhemajlit.
Këto ditë, e përditshmja Le monde, botonte një shkrim që merrte në analizë zhvillimin pak të rrëmujshëm të futbollit në Ballkan. Nën titullin Les Balkans avancent en ordre dispersé vers le Mondial 2014 (Le Monde.fr | 11.10.2013 à 12h42 – Mis à jour le 11.10.2013 à 15h46), autori i shkrimit analizonte paraqitjen dinjitoze të Bosnjës, Serbisë, Kroacisë dhe Malit të Zi. Asnjë fjalë për Shqipërinë. Dhe në fakt, përse duhet të shkruante për Kombëtaren Shqiptare? Në analizat që u bënte këtyre ekipeve, përmes intervistash dhe vëzhgimesh, autori i reportazhit nxirrte në pah krenarinë e ligjshme të këtyre vendeve dhe shpirtin luftarak të garës për të qenë në formën më të mirë dhe për t’u ndeshur me më të mirët e botës. Bosnja, Serbia, por edhe “i vogli” Mali i Zi e kanë bërë futbollin arenë të shkëlqyer ku manifestojnë shpirtin e tyre luftarak, europian e modern dhe kërkojnë me çdo kusht që të bëhen njësh me Europën. Reportazhi, natyrisht, qortonte sjelljen provinciale e nacionaliste të trajnerit serb, Sinisha Mihajlloviç, që i detyron lojtarët e tij të këndojnë himnin e vjetër serb, por kjo e gjitha plotëson imazhin e Ballkanit. Po Shqipëria si paraqitet në këtë ngjarje të madhe? Në fillim stadiumi. Një turp i paparë ndonjëherë. Kombëtarja jonë vijon të luajë në stadiumin e ngritur nga italianët në vitet ’40 dhe me një shtesë të bërë në kohën e Enver Hoxhës. Ndoshta është stadiumi më i ndyrë dhe më i keq në botë. Atëherë për çfarë krenarie flasim? E dyta. Ca tifozë folklorikë, që më së shumti vijnë nga Kosova dhe lëshojnë ulërima të turpshme kundër yjeve shqiptarë me sloganin: “Shqipëria-shqiptarëve, vdekje tradhtarëve!” Këta derdimenë dhe turkoshakë, këta ulëritës të neveritshëm, duhet ta dinë se kjo është një thirrje që nxit vëllavrasjen, që nuk nxit bashkimin dhe paqen, por luftën. Këta ulëritës “shurranë” siç i quan kolegu im, Buzhala, duhet ta dinë se shqiptarët, për fat të keq, një gjë e kanë bërë mirë në historinë e tyre –vëllavrasjen. Janë mjeshtër që të helmojnë njëri-tjetrin dhe të nënshtrohen më pas nga të huajt. Djemtë e mrekullueshëm që luajnë në një vend të mrekullueshëm, siç është Zvicra, janë krenaria jonë. Tradhtarët janë ata që e kanë lënë stadiumin shqiptar ku përqendrohet gjithë vështrimi i botës, në atë gjendje skandaloze. Tradhtarët e këtij vendi janë drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, që kanë futur një përçarje tragjike mes shqiptarëve dhe që po na neverisin në çdo sezon me paraqitjet diletante, për të mos thënë me ndeshje të shitura, ku në fund të garës gjithmonë na shfaqet një Kombëtare pa nerv e pa gjak. Ka ardhur koha që Armand Duka duhet të largohet nga Federata e Futbollit. Historia e tij është një histori dështimesh të turpshme dhe në qoftë se ai nuk e ndien se duhet të largohet, qeveria shqiptare duhet ta largojë menjëherë dhe ta çlirojë futbollin shqiptar nga merimanga e zezë e turpit, mashtrimeve, korrupsionit dhe gjithçkaje tjetër që na mban larg nga Europa. Po ashtu, duhet të marrë fund njëherë e mirë rekrutimi i futbollistëve shqiptarë nga Kosova. Shqipëria duhet të luftojë fort që Kosova dhe Federata e saj e Futbollit të përfshihen në FIFA. Kombëtarja shqiptare duhet të ngrihet me futbollistë që kanë lindur apo që janë me origjinë nga Republika e Shqipërisë. Gjithçka tjetër është një folklor i ndyrë dhe një patriotizëm fals. Një patriotizëm i pështirë si spektakli me shqiponjën e Lacios që na kishte sjellë Lorik Cana nga Italia. Ne kemi nevojë të shohim shqiponja të vërteta në fushë, ne kemi nevojë që futbollistët tanë të fitojnë në fushë dhe jo të shohim spekatkle banale me shqiponja e pastaj një Lorik Canë që i ka shkaktuar tri humbje rresht kombëtares sonë, me paraqitjen e tij të dobët dhe të dyshimtë. Të gjithë golat Kombëtarja jonë i pëson në qendër dhe çuditërisht pasi arrin disa rezultate të mira. Në qendër ndodhet Lorik Cana. Si ka mundësi që ne turpërohemi nga ky futbollist që më shumë bën folklor në fushë sesa luan? Ne po e mbyllim këtë sezon kualifikimi në mënyrën më të turpshme. Treguam se kemi mbetur një vend i pazhvilluar jo vetëm në futboll, por edhe nga pikëpamja qytetare. Është fakt se kemi talente shqiptarësh kudo nëpër botë, shqiptarë që janë nga Shqipëria apo nga Kosova. Ata talente duhet t’i nxisim dhe t’i duam dhe t’u bëjmë thirrje që të mos afrohen me Kombëtaren e Shqipërisë për sa kohë që kjo Kombëtare është kthyer në një çetë folklorike të pështirë që jo vetëm nuk po na nderon, por po na turpëron. Pa u spastruar Federata Shqiptare dhe pa u pranuar Kosova në FIFA, yjet shqiptare që luajnë nëpër botë është mirë të mos i kthejnë sytë nga Kombëtarja Shqiptare. Këto po mendoja, i dashur Berat, dje kur po shihja ndeshjen e turpit. Kur lexova shkrimin tënd, pashë me kënaqësi se ishim në një mendje. Ndaj të jap plotësisht të drejtë.
Top Channel