
I rrethuar nga male mbi dy mijë metra të larta si Arapi në veri, Radohima në perëndim dhe Jezerca në lindje, Thethi është një nga krahinat më të veçanta në Alpet Shqiptare. I rrethuar nga male mbi dy mijë metra të larta si Arapi në veri, Radohima në perëndim dhe Jezerca në lindje, Thethi është një nga krahinat më të veçanta në Alpet Shqiptare.
Natyra plot ngjyra dhe peisazhi që ofron, trashëgimia kulturore dhe mikpritja e banorëve të zonës, e bëjnë atë një nga perlat e turizmit malor shqiptar. Këto cilësi po zbulohen nga viti në vit nga turistë të huaj të cilët vijnë në Theth për të shijuar bukurinë e maleve, por jo vetëm kaq.
Në bujtinat karakteristike prej guri ku ofrohet strehim dhe ushqim, ata nuk gjejnë luksin e hoteleve moderne apo menunë e shumëllojshme të tyre, por të kundërtën, të jetuarit sipas traditës. E me sa duket është pikërisht kjo ajo që i sjell në Theth.
Sofie Moulan, një turiste nga Zvicra, thotë: “Njerëzit janë shumë të mirë dhe ne na pëlqen të shëtisim në mal, të zbulojmë kulturën dhe mënyrën si jetojnë njerëzit këtu.”
Ndërsa Olivier Moulan shprehet: “Këtu vendi është i mrekullueshëm. Është i ngjashëm me atë që ne njohim në Zvicër, por në të njëjtën kohë është edhe shumë ndryshe. Nuk duam që gjërat të ndryshojnë sepse duam të qëndrojmë në këto shtëpi të vogla ku mund të flasësh me njerëzit. Ata janë të dashur dhe mikpritës. Është e rëndësishme të mos gjejmë të njëjtin turizëm që gjejmë në vendet e tjera të Evropës Qendrore. Sapo kemi zbuluar ushqimin e zonës dhe rakia është shumë e mirë.”
Turizmi që gërsheton bukurinë e natyrës me traditën dhe mikpritjen e banorëve të kësaj zone u nxit nga qeveria gjermane, e cila tetë vite më parë nisi një projekt për të ndihmuar në ngritjen e këtyre bujtinave si një mënyrë për të rritur të ardhurat e tyre përmes vetëpunësimit. Aktualisht, në Theth zhvillojnë aktivitetin e tyre më shumë se 25 shtëpi me më shumë se 350 shtretër.
Hellmut Hoffmann, ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, tregon: “Mendoj se Thethi ka një potencial të madh, mjafton të shohësh peisazhin e bukur përreth, trashëgiminë kulturore, shtëpitë e vjetra janë të mrekullueshme. Mund të zhvillohet më tej, ndaj më e rëndësishmja është që ne japim atë që e quajmë ndihmë për vetë-ndihmë, çka do të thotë që njerëzit duhet të marrin topin dhe të vrapojnë me të. Këshilla është të ruajnë bukurinë natyrore dhe trashëgiminë kulturore, ka shtëpi shumë të bukura tradicionale dhe është shumë e rëndësishme të mos ndërtohen shtëpi që nuk i shkojnë kësaj zone. Pra, duhet të jenë të gjitha në stilin e vjetër pasi është arsyeja përse njerëzit vijnë nga vende të ndryshme si Gjermania, Zvicra apo Republika Ceke sepse duan këtë stil tradicional.”
Të zotët e shtëpive thonë se nga fillesat e këtij biznesi, numri i turistëve është shumëfishuar.
Por, ajo që pengon ardhjen e turistëve me të njëjtin ritëm edhe gjatë muajve të dimrit kur fshati izolohet tërësisht nga bora është mungesa e infrastrukturës rrugore.
“Infrastruktura është copë-copë. 7 muaj e bllokuar nga bora. Tetë vjet nuk ka patur drita, vjet u bashkuam edhe punuam vullnetarisht për t’i siguruar nga hidrocentrali këtu”, thotë Bal Vuksani, kryetar i Komunës Shalë.
Ata bëjnë apel për më shumë vëmendje në mënyrë që banorët dhe turistët që vijnë nga vende të ndryshme të Botës të mund të gjejnë jo luksin, por kushtet e domosdoshme për të shijuar Thethin e pse jo për t’u rikthyer sërish.
Top Channel