
Shkëlqim Cani, ministri i Financave, deklaroi për Zërin e Amerikës se “punonjësit e administratës së tatim-taksave dhe doganave që do të rezultojnë se kanë shkelur ligjin, do t’i përgjigjen ligjit”.
“Në tetë vite rresht, nuk ka qenë opozita që ka kritikuar tatim-taksat dhe doganat. Kanë qenë institucione ndëkombëtare që kanë bërë vlerësime të ndryshme në publik për perceptimin e tyre për këto institucione. Ka qenë biznesi i cili i ka quajtur marrëdhëniet me tatim-taksat, me institucionin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave dhe të doganave, marrëdhënie thuajse brutale kundër tyre. Kush i ka bërë këto veprime? Njerëzit, se nuk besoj që të kenë qenë robotët që i kanë bërë. Këta njerëz janë aty. Pavarësisht nga britmat e opozitës, ata janë përsëri në punë. Ata janë ata që i kanë krijuar këto marrëdhënie. Ne do t’i japim shansin atyre për të ndërruar mentalitetin, për të ndërruar mënyrën e të vepruarit, që, më shumë shohin xhepin e tyre, se sa kanë parë xhepin e shtetit, se sa kanë parë interesat e atyre njerëzve që quhen “popull” në fund fare. Dhe disa nga ata janë majmur kaq shumë. Natyrisht që do të përballen me ligjin dhe unë nuk hezitoj të them se kushdo që do të dalë në shkelje të ligjit, natyrisht që do t’i përgjigjet ligjit”, deklaroi Cani në intervistën për Zërin e Amerikës.
Top Channel