
Gjatë një kontrolli në Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojrave të Fatit, Ministria e Financave ka konstatuar moszbatim të ligjit në mbledhjen e detyrimeve financiare ndaj subjekteve që praktikojnë këtë aktivitet, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 256 milionë lekësh.
Detyrimet dhe gjobat e papaguara mbarten çdo vit, ndërkohë që subjektet janë aktive dhe vijojnë normalisht aktivitetin e tyre pa asnjë pengesë.
Po ashtu, Njësia e Mbikëqyrjes së Lojrave të Fatit ka lejuar aktivitetin e disa bizneseve në mënyrë të paligjshme, duke mos ekzekutuar konfiskimin e makinave elektronike që operojnë pa liçencë.
Sa u përket shkeljeve të konstatuara në ligjin “Për Prokurimin Publik”, Drejtoria e Auditit të Brendshëm ka njoftuar Agjencinë e Prokurimit për shqyrtimin administrativ sipas kompetencave që i jep ligji.
Bazuar mbi këto shkelje të veprës penale, por dhe shkelje të tjera administrative, Ministria e Financave ka bërë kallëzim penal për ish-drejtorin e përgjithshëm Besnik Çobaj dhe drejtorin e Drejtorisë Operacionale, Nikolin Gjeka, për shpërdorim detyre.
Për dy punonjës është marrë masa administrative e largimit nga puna, ndërsa për dy të tjerë ajo e paralajmërimit për largim.
Top Channel