Ikonat e vjedhura në Galerinë e Arteve

11/10/2013 00:00

Një pjesë e përzgjedhur e ikonave dhe veprave të artit të sekuestruara së fundmi nga një operacion i Policisë së Shtetit janë ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Ministrja e Kulturës, zonja Mirela Kumbaro tha se objektet e ekspozuara janë një pjesë nga ato të ndaluarat, të përzgjedhura nga një grup ekspertësh, nën drejtimin e drejtorit të galerisë Rubens Shima, po punojnë për iventarizimin dhe identifikimin e tyre.

Duke iu drejtuar nxënësve të Liceut Artistik dhe studentëve të Arkitekturës të pranishëm, zonja Kumbaro tha se këto objekte janë thesar i kombit, por edhe një mjet i rëndësishëm edukimi për publikun e sidomos për të rinjtë.

Nën kontrollin e sigurisë nga ana e Policisë së Shtetit, këto objeke do të qëndrojnë të ekspozuara për gjatë fundjavës në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Lajmi i zbulimit të thesarit të ikonave, afreskeve dhe pikturave qe datonin nga shekulli i 15 dhe gjysma e shekullit të 20, u publikua në disa prej mediave kryesore të botës.

“Washington Post” shkroi në edicionin online se, megjithëse vlera e tyre nuk është bërë publike, hetimet që zgjatën katër muaj çuan në zbulimin e 1077 veprave në dy apartamente në kryeqytetin e vendit.

Ndërsa BBC dhe agjencia e lajmeve “Associates Press” iu referuan deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili e cilësoi gjetjen e objekteve një prej operacioneve më të mëdha kundër trafikimit të veprave të artit.

“Sado pak të kemi, ne duhet t’i ruajmë. Nëse e humbim këtë pasuri, atëherë historia do ta zhdukë atë”, deklaroi Rama.

Sipas ekspertëve, kishave ortodokse të Shqipërisë u është vjedhur shumica e veprave të artit që prej rënies së regjimit komunist dhe trafiku i tyre është një fenomen i përhapur.

Ditën e premte, gjykata e Tiranës dha vendimin “arrest me burg” për të dy personat e arrestuar pak ditë më parë nën akuzën e vjedhjes dhe trafikut të veprave të artit. 

Top Channel